Si e përhapin televizionet shtetërore ruse propagandën për luftën në Ukrainë?

Programi televiziv “E vërtetja juaj”, i cili shfaqet në televizionin shtetëror rus, ka nisur edicionin e 26 marsit me manipulim të deklaratave të disa qytetarëve të Mariupolit në Ukrainë, i cili është shkaktuar nga bombat dhe raketat ruse, prej kur Moska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Një grua ka pretenduar se forcat ukrainase po qëllojnë në kopshtet e fëmijëve sikurse “në një lojë”.

Një burrë i zemëruar ka mallkuar “këta fashistë, këta bastardë… dhe të varur nga droga”.

Më vonë, mysafirja e parë e emisionit ka qenë kryeredaktorja e televizionit rus, RT, Margarita Simonyan, e cila me lot në sy ka bërë një varg pretendimesh, duke nisur nga ato se forcat ukrainase janë duke shënjestruar fëmijët me bomba; që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndaluar të gjitha mediat private; që ukrainasit nuk i konsiderojnë rusët si njerëz; që mjekët ukrainas kanë kërkuar tredhjen e të burgosurve rusë të luftës; që “nazistët” ukrainas janë të përgatitur “për t’ua nxjerrë” sytë fëmijëve, varësisht nga etnia e tyre”.

Të gjitha këto pretendime janë bërë në pesë minutat e parë të transmetimit.

Qeveria e Rusisë insiston rrejshëm se lufta në Ukrainë nuk është luftë, por “operacion special ushtarak”, dhe ka thënë se qëllimet kryesore të saj janë “denazifikimi dhe çmilitarizimi” i shtetit fqinj.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përshkruar Ukrainën si shtet jolegjitim, që është krijuar nga autoritetet sovjetike dhe tani drejtohet nga “neo-nazistë” dhe “të varur nga droga”, të cilët marrin urdhra nga Uashingtoni.

Të gjitha këto çështje përmenden vazhdimisht në programet që përkrahin politikën e Kremlinit.

“Ata gënjejnë gjithmonë”

“I gjithë televizioni është i mbushur me shpëlarje truri në aspektin ushtarak”, ka thënë Yelena Rykovtseva, korrespodente e Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë, e cila është e fokusuar në media.

Ajo ka shtuar se është e vështirë të ndash drejtësinë brenda një artikulli të televizionit shtetëror rus, pasi “histeria kundër Ukrainës është në kulm”.

Në mesin e informacioneve që shpërndahen janë edhe ato që kinse në Mariupol, teksa forcat ruse u afrohen neo-nazistëve, këta të fundit përdorin banorët lokalë si mburoja; që nazistët janë duke goditur refugjatët dhe që ushtarët rusë janë duke i shpëtuar fëmijët dhe duke u ndihmuar të plagosurve.

Këto pretendime, të ofruara pa u mbështetur në fakte, nuk janë në përputhje me atë që thonë zyrtarët dhe mediat e Perëndimit – të cilat kanë pasur gazetarë të angazhuar në Mariupol – si dhe vetë banorët e qytetit, disa prej të cilëve janë përballur me bombardime ruse, pavarësisht marrëveshjeve për korridore humanitare.

Më 29 mars, programi televiziv, “Koha do të tregojë” – i cili transmetohet në televizionin shtetëror Chanel One – ka shfaqur një kishë ortodokse, e cila nuk duket e dëmtuar, por është mes rrënojave.

Korrespodenti ka thënë se kjo gjë “na jep shpresë se Zoti është me ne”.

Në narrativën e Kremlinit përfshihen edhe pretendimet e pabazuara se Kievi ka qenë gati për të nisur ofensivë të madhe ushtarake kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit dhe që Shtetet e Bashkuara janë të vendosura për ta shkatërruar Rusinë.

Gazetari ukrainas, Roman Tsymbalyuk, i cili ka punuar për shumë vjet në Moskë si korrespodent për agjencinë e lajmeve UNIAN, dhe ka qenë mysafir i shpeshtë në emisionet e televizioneve shtetërore ruse, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ka mësuar “saktësisht si funksionon propaganda ruse”.

“Mediat ruse nuk janë media masive ruse, por trupa të informacionit që gjithmonë gënjejnë”, ka thënë ai.

Nga televizioni në RuTube

Në të kaluarën, Kremlini është dukur i kënaqur me kontrollin e tij mbi transmetuesit kombëtarë, duke i lejuar mediat e pavarura dhe ato liberale që të ekzistojnë.

Ky model ka qenë i suksesshëm edhe më 2014, kur Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur luftën në Donbas, duke u ndihmuar separatistëve të marrin kontrollin e provincave Donjeck dhe Luhansk.

Në këtë periudhë, anketuesi në Moskë, Maksim Kats, ka thënë se mbështetja e publikut ndaj politikave të Kremlinit është shumë më e dobët.

Si rezultat, ai ka sugjeruar që, shteti ka rritur propagandën në mediat shtetërore, si dhe ka rritur presionin ndaj mediave të pavarura dhe fjalës së lirë.

“Duket se ata mendojnë që populli nuk e përkrah luftën, andaj janë duke zbatuar masa sikurse censura ushtarake”, ka thënë Kats për Radion Evropa e Lirë.

“Ata janë duke i mbyllur rrjetet sociale që kanë funksionuar me vite. Ata kanë mbyllur radion Ekho Moskvy. Ata e kuptojnë se nëse informacioni përhapet lirshëm, askush nuk do ta mbështesë luftën”.

Lyubov Borusyak, sociologe, është pajtuar që në shoqërinë ruse, lufta kundër Ukrainës nuk ka rezultuar me “ngritje emocionale që është parë gjatë zhvillimeve në Krime”.

Përveç kësaj, ajo ka thënë se 75 për qind e rusëve e përdorin internetin dhe disa raporte opozitare mbledhin dhjetëra miliona klikime, çka potencialisht mund të dëmtojë kontrollin e shtetit ndaj informacionit për luftën.

“Kur ka interesim, audienca mund të bëhet shumë më e madhe sesa që synon televizioni”, ka thënë Borusyak.

“Përqindja e shikuesve të rregullt të televizionit ka rënë vazhdimisht në vitet e fundit, sidomos në mesin e të rinjve”.

Si rezultat, Kremlini ka rritur interesimin për të kontrolluar materialet në internet, ashtu sikurse edhe ato që shfaqen në televizion.

Rrjeti më i famshëm social në Rusi është YouTube, i cili përdoret nga tri të katërtat e përdoruesve të internetit në Rusi.

Thirrjet për bllokimin e tij në këtë shtet janë rritur secilën herë e më shumë, sidomos pasi YouTube ka bllokuar mediat e kontrolluara nga Kremlini më 11 mars.

Në shkurt të vitit 2021, Putini pati bërë të ditur strategjinë e Kremlinit për mediat e huaja sociale.

“Ne nuk do të bllokojmë asgjë derisa të kemi platformat tona”, pati thënë ai.

“Kur kolegët tanë të shohin se ekziston alternativë, kur të kuptojnë se nuk kanë monopol në treg, ne do të kemi qasje tjetër”.

Krijuesit e opinionit në Kremlin, kanë tentuar, por pa sukses, që të promovojnë RuTube, një klon të platformës YouTube, që është themeluar më 2006 dhe është në pronësi të Gazpromit.

Aty ka gjithçka që Moska dëshiron të dinë rusët.

Sipas faqes së pavarur, iStories, popullariteti i RuTube ka kulmuar më 2011 me 14.5 milionë përdorues dhe më pas ka rënë në vetëm 3 milionë më 2021.

Për krahasim, më 2021, 78.5 milionë rusë kanë përdorur YouTube.

Kanali Z

Faqja RuTube transmeton materiale nga të gjitha kanalet televizive kombëtare, si dhe video të shkurtra nga agjencitë e afërta me Kremlinin.

Aty ka edhe kanale të agjencive të ndryshme të Qeverisë ruse, duke përfshirë kanalin e Ministrisë së Mbrojtjes, Zvezda dhe të agjencive të Ministrisë së Jashtme, më pas Parlamentit dhe Agjencisë Hapësinore, Roskosmos.

Më 22 mars, një kanal i ri, i quajtur ZTV – referencë e simbolit Z të cilin Moska e ka përdorur për të rritur mbështetjen për luftën në Ukrainë – e ka prezantuar veten si “kanal për operacionin special ushtarak të forcave të armatosura të Federatës Ruse në Ukrainë”.

Në disa prej programeve më të hershme ka pasur intervista me ushtarë rusë, të cilët kanë folur për “100 për qind efekt” të operacioneve ushtarake, si dhe pamje të teknologjisë ushtarake ruse gjatë aksionit.

Këto vlerësime janë në kundërshtim me deklarata e ekspertëve ushtarakë, të cilët thonë vazhdimisht se ofensiva ruse nuk ka përmbushur synimet dhe është përballur me shumë humbje, si të ushtarëve, ashtu edhe të pajisjeve.

Më 28 mars, kanali televiziv rus, RT, ka publikuar një klip të shkurtër që tregonte ushtarët rusë duke lexuar letrat e dërguara nga fëmijët e tyre të vegjël.

“I dashur ushtar”, lexon një pjesëtar i ushtrisë.

“Po shkruaj në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi me gjithë shpirtin tim për faktin se bie në gjumë në qetësi, shkoj në shkollë dhe jetoj nën qiellin e qetë mbi kokë. Shpresoj që do ta ruani vullnetin dhe do të jeni në gjendje të luftoni për tokën amë. Unë besoj në ju dhe lutem për ju. Nuk mund ta imagjinoni sesi unë dhe njerëzit tjerë që jetojmë në Rusi, ju duam dhe ju mbështesim juve”.

Një kanal tjetër i quajtur RT Rossia ka publikuar një dokumentar të gjatë një orë nga Anton Krasovsky, duke treguar në detaje pretendimet e pabazuara të Kremlinit se Departamenti amerikan i Mbrojtjes është duke mbështetur laboratorët e armëve biologjike në Ukrainë.

Narrativa ruse, e cila është përhapur nëpër televizionet shtetërore, është dënuar nga Uashingtoni dhe shumë ekspertë.

Teksa lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e dytë, publiku rus “nuk ka arsye të mos besojë atë që po i servohet”, nga mediat shtetërore, ka thënë, Aleksei Levinson, analist për agjencinë e pavarur, Levada.

Megjithatë, ai ka shtuar se disa e kanë një ndjenjë se lufta është e gabuar.

“Duhet të ketë mjete për të mposhtur zërin e ndërgjegjes”, ka thënë ai.

“Dhe, kjo gjë bëhet përmes televizionit dhe deri më tani me goxha sukses”./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close