Karaçevasit të shqetësuar me prezencën e herëpashershme të policisë serbe

Fshati Karaçevë i Komunës së Kamenicës shtrihet përgjatë vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky fshat kodrinor-malor u bë i njohur pasluftës, pas ndërhyrjeve të shpeshta të xhandarmërisë serbe në brendi të fshatit. Disa nga banorët thonë se shumë probleme të fshatit ende nuk janë zgjidhur, ndonëse muajve të fundit po mbretëron një situatë e qetë. Ata apelojnë te krerët e institucioneve që të punojnë më shumë për zgjidhjen e telasheve që kanë.

Banorët e Karaçevës së Poshtme të Kamenicës vazhdojnë të jenë të shqetësuar me prezencën e herëpashershme të xhandarmërisë serbe, në siç thonë ata, territorin e Kosovës. Ashtu, si banorët e tjerë të fshatit kufitar edhe Baki Keka, shpreh shqetësimin e tij për këtë çështje.

“Hyrja e serbëve po na shqetëson neve. Nuk është e mirë kjo. Po hyjnë në territorin tonë. Ka qenë gjithmonë aty te xhamia e në rrugë kufiri. E ky kufiri i ri u bë pasluftës, pas Marrëveshjes së Kumanovës, ku serbët kanë paraqitur harta false. Pra, me këtë hartë që e kanë paraqitur në Kumanovë është luajtur kufiri, e kanë pru këtu poshtë tek asfalti. Kështu kurrë nuk ka qenë.”, tha ai.

Baki Keka, mbi të 70-at, i tha Radio Kosovës se kërkon nga institucionet të kujdesën më shumë për sigurinë dhe tokat e tyre.

Një gjë të tillë e kërkon edhe Selver Lenjani, kryetari i Karaçevës.

“Në vazhdimësi kemi protestuar e kërkuar nga institucionet tona që të merren me këtë problemin me brezin kufitar. Serbia këtu synon të bëjë shkëputjen. Sipas Marrëveshjes së Kumanovës, janë 170 pronarë, tokat e të cilëve mbesin me Serbi”, tha ai.

Teksa falënderon KFOR-in dhe Policinë e Kosovës që kujdesen për brezin kufitar, Lenjani thotë se është i pakënaqur me drejtuesit e shtetit të Kosovës që nga paslufta e deri tani. Nga liderët aktualë kërkon trajtim më serioz të çështjes së Karaçevës.

“I kisha lutur edhe një herë udhëheqësit e institucioneve që të punojnë dhe t’i dalin zot kësaj toke, sepse është e jona. Ne nuk kemi tokë për t’i falur askujt. Me gjithë potencialin do ta mbrojmë vendin tonë. Uroj që në takimet në Bruksel të diskutohet edhe për këtë problem të brezit kufitar në Karaçevë”, tha ai.

Fshati kufitar, Karaçevë, në ta kaluarën kishte telashe me një numër të madh kazinosh që vepronin ilegalisht. Të njëjtat u rrënuan në shtator të vitit 2020, pas një aksioni të gjerë të Policisë së Kosovës. Shqetësim tjetër për banorët ishte edhe mbyllja e shkollës, pas një vendimi të ish kryetarit të Kamenicës, Qendron Kastrati. Që nga nëntori i vitit të kaluar edhe shkolla e fshatit është rihapur.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close