Kalendari i përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, hapet ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”

ATSH/- Marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e kulturës e trashëgimisë tashmë janë konkretizuar dhe po zbatohen.

Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kulturor për vitin 2022, në Muzeun Kombëtar të Kosovës është hapur ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”.

Përmes kësaj ekspozite qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi të njoftohen me thesaret e trashëgimisë kulturore nga koleksioni i pasur i Muzeut Historik Kombëtar, që po sjell rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar të Shqipërisë, Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi dhe shumë personalitete e profesionistë të fushës muzeore të trashëgimisë.

Ky bashkëpunim erdhi pas suksesit të viteve të fundit mes dy muzeve, të cilat shënuan edhe kulmin e marrëdhënieve mes dy institucioneve qendrore muzeore të Shqipërisë dhe Kosovës duke organizuar bashkëpunime, aktivitete dhe takime të shumta.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, përbëhet nga rreth 25 stenda, të cilat përmbajnë objektet e përzgjedhura nga pavijonet e muzeut.

Muzeu Historik Kombëtar krahas objekteve të shumta, ka edhe një koleksion të pasur artefaktesh arkeologjike prej të cilave mund të përmendim: koleksionin e objekteve prehistorike; koleksionin e skulpturave; enët prej qeramike; monedhat ilire, greke e romake; objekte të shumta të zejtarëve vendas në qeramikë e metal etj., me një shtrirje të gjerë në kohë nga prehistoria, antikiteti greko – romak, periudha antike e vonë e deri në mesjetë. Në ekspozitë, krahas objekteve të tjera të përfshira, nga pavijoni i arkeologjisë, janë përzgjedhur eksponatet më të spikatura, të cilat përfaqësojnë objekte me vlera artistike, estetike dhe historike, e njëkohësisht përbëjnë kryevepra të artit antik të kohës, duke treguar për nivelin e lartë të zhvillimit ekonomik e kulturor që arritën qytetet ilire.

Larmia e objekteve mesjetare të ekspozuara synon të ofrojë një panoramë gjithëpërfshirëse të kulturës materiale, që u formua në territorin e Shqipërisë dhe ftojnë vizitorin në një intenerar historik, duke ndjekur kronologjinë e ngjarjeve kryesore, që zunë vend në territorin tonë, për një periudhë që shkrihet nga Antikiteti i Vonë e deri tek periudha bizantine dhe ajo osmane. Si rrjedhojë, objektet më përfaqësuese të këtyre epokave janë përfshirë në ekspozitë, me një interpretim të shkurtër, që integron dhe kontekstin historik, produkt i të cilit janë. Në një këndvështrim lokal gjatë kësaj periudhe mbruhen dhe marrin formë formacionet e para shtetërore si Principata e Arbërit (shek. XII), ai i Karl Topisë (1359-1388), etj., kufijtë e të cilave, ndonëse konvencialë e të lëvizshëm përbëjnë skenën historike ku do të zhvillohen ngjarjet e kohës. Objekt i veçantë në ekspozitë është Epitafi i Gllavenicës, i cili daton në vitin 1373.

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” mbyllet me disa objekte ikonografike si ikona “Hyrja e Hyjlindëses në Tempull” e pikturuar nga Onufri, “Dyert e Bukura” të kishës “Shën Mëria”, Vllaherna në Berat të realizuara nga Onufër Qiprioti, ikona e “Shën Gjergjit” e pikturuar nga vëllezërit Çetiri, ikona “Shpërfytyrimi” e pikturuar nga David Selenica etj. Objektet e ekspozuara përfshijnë një hark kohor, që fillon nga shekulli XVI e vazhdon deri në fillim të shekullit XIX, që njihet si periudha e artit pasbizantin.

Ekspozita u realizua nga Muzeu Historik Kombëtar me mbështetjen e fotografit Fation Plaku, për realizimin e fotove të vendeve ku janë zbuluar objektet e paraqitura në ekspozitë, dhe në bashkëpunim me Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close