Projekti arkitektonik “Mozaiku i Tiranës

ATSH/- Me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin ka shpallur emrat e pronarëve për shpronësim, që preken nga projekti arkitektonik “Mozaiku i Tiranës”.

Kërkesa e ASHP-së është publikuar në Fletoren Zyrtare bashkangjitur edhe lista paraprake e pronarëve të cilët do të shpronësohen.

“Me anë të këtij publikimi, kërkojmë të vëmë në dijeni personat e prekur nga ky shpronësim, për pasuritë e paluajtshme, pronë private, të cilët do të kompensohen sipas vlerësimit paraprak të llogaritur, bazuarnë VKM-në nr. 89, datë 3.2.2016 “Për miratimin e hartës së vlerës së tokës në Republikën e Shqipërisë”, për pasuritë e llojit “truall””, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Vlera totale paraprake e shpronësimit është 9 348 835 54 (nëntë milionë e treqind e dyzet e tetë mijë e tetëqind e tridhjetë e pesë pikë pesëdhjetë e katër) lekë.

Me kërkesën e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë dhe pas miratimit të projektit të hartuar nga DRTK dhe ASHA nisën sondazhet arkeologjike në dy trase përreth zonës së Mozaikut, në anën perëndimore të tij.

Si rezultat i gërmimeve kanë dalë në dritë vazhdimi i mureve të ambienteve ndihmëse të vilës romake (fundi i shek. III- fillimi i shek. IV), që përdoreshin për fermentimin e verës, e bashkë me të edhe një kanal i largimit të ujërave. Të tjera gërmime pritet të kryhen në anën jugore.

Gjithashtu u zgjerua hapësira e gërmimeve, duke nxjerrë në dritë gjithë gjurmët e vendbanimit.

Mozaiku i Tiranës është një pikë shumë e rëndësishme referimi në Shqipëri dhe mendohet të ketë qenë pjesë e një banese të tipit rural (vila rustica) të ndërtuar në shekullin I pas Krishtit.

Në shek. III pas Krishtit vendbanimi mendohet se u zëvendësua nga një kompleks godinash, të ndara në dy pjesë në pars urbana (pjesa për banim e vilës) dhe në pars rusticae (pjesa prodhuese e vilës) të cilat po ashtu kishin funksion bujqësor.

Më vonë në shek. IV-V pas Krishtit vendin e vilës romane duhet ta ketë zënë një kishë paleokristiane. Kisha është ndërtuar në sallën qendrore të banesës rurale. Si të gjitha kishat e kësaj periudhe (gjysma e dytë e shek. IV pas Krishtit) edhe këtu kemi një riorganizim të ambienteve të brendshme. Brendësia ka tashmë një aks gjatësor dinamik pikërisht si rezultat i hyrjes përballë altarit, që theksohet nga ritmi i arkadave. Arkitektura e kishës është e thjeshtë.

Gjatë transformimit të banesës në objekt kulti janë përdorur tulla, me simbole kryqesh, të datuara këto në periudhën e Perandorit Kostandin I (306-337). Ambientet ndihmëse në anën veriore të ndërtesës janë përshtatur nga ato të banesës.

Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit.

Vila Rustica dhe kisha paleokristiane të njohura ndryshe si Mozaiku i Tiranës, janë një shembull shumë domethënës i lashtësisë së këtij territori që u zbulua rastësisht në vitin 1972, gjatë ndërtimit të një blloku pallatesh.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close