Shkarkohet kreu i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork
Ministria e Punëve të Jashtme ka shkarkuar kreun e Konsullatës së Përgjithshme në Nju Jork, Frymëzim Isufajn.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes rrjetit social Facebook. Isufaj shkruan se vendimi për shkarkimin e tij është jo-ligjor dhe tërësisht politik.
“Përveç ndërprerjes së parakohshme dhe të pa arsyetuar të mandatit tim të rregullt, përmes vendimeve të paligjshme, dëshirojnë që të pamundësojnë edhe vazhdimin e marrëdhënies së punës si diplomat karriere në institucionin në të cilin kam shërbyer afërsisht në 10 vitet e fundit”, ka shkruar Isufaj në një postim në Facebook derisa ka shtuar se do të ndjekë rrugët ligjore dhe se në këtë fazë nuk do të publikojë arsyet për të mbrojtur kredibilitetin e institucionit ku ka shërbyer.
“Ti shërbej vendit tim gjatë kësaj periudhe pothuajse 15 vjeçare në institucione të ndryshme, e sidomos si diplomat në një vend të rëndësishëm si SHBA (vendit ndaj të cilit duhet të jemi përherë mirënjohës), fillimisht në Uashington e pastaj në New York, ka qenë nderi im më i madh jetësor… Pavarësisht të gjithave padrejtësive, aktiviteti im në shërbim të interesit shtetëror dhe kombëtar nuk do të ndalet asnjëherë. Gjithmonë mirënjohës për përkrahjen tuaj dhe jam i bindur që bashkëpunimi më të gjithë ju do të vazhdojë edhe më tutje në përballje me sfidat e reja që na presin përpara”, ka shkruar pos tjerash Isufaj.
Comments are closed.