Telekomi i Kosovës ofron 24 paga për pensionimin e parakohshëm

Menaxhmenti i ri i Ndërmarrjes publike ‘Telekomi i Kosovës’ ka bërë një ofertë për punonjësit e saj, duke iu kërkuar që ta lënë punën vullnetarisht, duke ua ofruar si kompensim nga 24 paga si dhe të dalin në pension të parakohshëm. Sipas tyre, e gjithë kjo për shkak të ristrukturimit apo riorganizimit të brendshëm së Telekomit. Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lami Balaj, tha se ky plan është i qeverisë dhe sipas tij, asnjë ndryshim nuk do të bëhet pa vullnetin e punëtorëve.

Në emër të reformave dhe ristrukturimit, Telekomi i Kosovës u ka kërkuar punëtorëve të saj ta lënë punën në mënyrë vullnetare si dhe të dalin në pensionim të parakohshëm. Pensionim i parakohshëm përfshin punëtorët që do të dalin në pension në vitet kalendarike 2023, 2024, 2025 dhe 2026. Kryetari i Sindikatës së Punëtoreve të Telekomit, Lami Balaj, i tha Radio Kosovës se këtë plan e ka bërë Qeveria e Kosovës. Megjithatë ai tha se nuk kanë qenë fare të ftuar si sindikatë për të qenë pjesë e asaj pakete.

“Është një plan të cilin e ka bërë Qeveria e Republikës së Kosovës për ata të cilët dëshirojnë të lëshojnë punën e të cilëve u ofrohen nga 24 paga. Telekomi këtë plan për pensionim të parakohshëm e ka pasur edhe më herët diku rreth vitit 2006 dhe 2015. Për ne nuk ka pasur asgjë të keqe, sepse ndërmarrjet publike në gjithë botën bëjnë plane të tilla. Por është zhgënjyese për një sindikatë sepse nuk kemi qenë të informuar dhe nuk kemi qenë pjesë e kësaj pakete, e që unë besoj fuqishëm se ish dashtë me qenë sindikata e përfshirë, sepse përfaqësojmë punëtorët”, tha Balaj për Radio Kosovën.

Balaj tha se disa punëtorë me vullnetin e tyre kanë pranuar ta lënë punën. Ai shtoi se pas ristrukturimit nuk do të mundë t’i garantohet askujt pozita që mban.

“Një pjesë e tyre e kanë shpreh dëshirën me dalë e një pjesë po heziton por unë ju kam premtuar punëtorëve se kjo bëhet me vullnet. Sigurisht se pas ristrukturimit do të hapen edhe konkurse dhe askujt nuk do t’i garantohet pozita. Kur flas për pozita është fjala për pozita të larta të cilët me vite kanë mbajtur pozita menaxheriale, koordinatorë apo udhëheqës dhe unë besoj se edhe ata që kanë bartur me vite këto pozita dhe ndoshta nuk do të mundë në të ardhmen t’i fitojnë në një konkurs të drejtë, atëherë edhe ata do te jenë pjesë e Telekomit, por sigurisht aty ku përkojnë me përgatitjen e tyre profesionale”, tha Balaj.

Oferta për të lënë punën në mënyrë vullnetare është bërë siç ka deklaruar menaxhmenti i ri për arsye se detyrat dhe përgjegjësitë në fushë veprimtaritë e kërkuara dhe të synuara të kompanisë, mund të mos përkojnë me profilin profesional të punëtorëve, apo edhe ngase disa prej pozitave të punës të cilat janë të dyfishuara edhe mund të shuhen. Balaj tha se gjatë ristrukturimit sindikata ka kërkuar nga menaxhmenti, e që është aprovuar, që pozitat menaxheriale të plotësohen me konkurse të brendshme ku secili nga punëtorët ka të drejtë të konkurrojë./Radio Kosova

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close