Hungarezët zgjedhin parlamentin e ri

ATSH-DPA/ – Hungarezët iu drejtuan sot kutive të votimit, me kryeministrin aktual Viktor Orban të vendosur të zgjasë 12 vitet e tij në pushtet duke fituar edhe një mandat tjetër.
Me shumicë e medieve, televizioneve dhe radios shtetërore të gjitha nën kontrollin e kryeministrit të krahut të djathtë, opozitës i është dashur ta bëjë fushatën e saj zgjedhore kryesisht në rrugë.
Megjithë kontrollin e hekurt që Orbán dhe partia e tij Fidesz ushtrojnë mbi vendin dhe institucionet, ka një fije shprese për opozitën këtë herë.
Për herë të parë, gjashtë partitë më të rëndësishme opozitare, duke përfshirë partitë e majta, të gjelbra, liberale dhe të djathta, kanë krijuar një aleancë, duke e quajtur atë “Të bashkuar për Hungarinë”.
Sistemi i ndërlikuar zgjedhor i Hungarisë favorizon partinë Fidesz në detyrë, por pakti do t’i lejojë të gjashtë partitë të hyjnë së bashku në një listë të vetme kandidatësh.
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) po dërgon një ekip të plotë prej 200 vetësh për të parë zgjedhjet, një lëvizje shumë e pazakontë në një vend anëtar të BE.
Një raport i ndërmjetëm i OSBE-së tregoi mangësi serioze.
Raporti ngriti shqetësime se “funksionet zyrtare të qeverisë [po] përzihen me aktivitetet e fushatës ose po keqpërdoren si një mjet fushate.”
Sipas OSBE-së, ekzistonte një kërcënim i “migrimit taktik të votuesve në zonat e kontestuara”.
Comments are closed.