Me rastin e 210-vjetorit të lindjes -JOHAN GEORGE HAN, BABAI I ALBANOLOGJISË

Eksplorimet e shumta gjeografike të bëra në fillim të Kohës së Re zgjuan interesin e gjuhëve. Kolonizimet në Azi mundësuan studimin e gjuhës e së vjetër indiane, çoi në studimin e gjuhës sankrite nga vëllezërit Shlegel në universitetet evropiane. Lindën metoda të reja të studimit të gjuhësisë , si metoda historike – krahasuese, e cila u bë bazë e studimit të gjuhësisë në fillim të shekullit të 19-të. Kalimi nga faza parashkencore e Albanologjisë me autorë si Lajbnici, Tumani dhe Fallmerajerit, Ksilanderi, Boesë, si udhëtarë dhe diplomat, studimi i gjuhës shqipe ishte në disiplina të ndara e të veçanta.
Faza shkencore fillon me F Bopin, i cili përcaktojë gjuhën shqipe si gjuhë indoevropiane dhe Johan Georg Von Hani, i cili ishte guri i themelit të Albanologjisë me veprën “Albanische Studien” (Studime shqiptare) , botuar në Vjenë 1854 me tre vëllime.
Ai botoi edhe “Reise durch die Drin und Vardar” (Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit) botuar në vitin 1867 dhe “Përrallat greke shqiptare” në dy vëllime. Në “Studimet shqiptare” ai ka edhe studimin për një fjalor me 6000. Çështja e hershmërisë së ngulimeve shqiptare kishte ngjallur interes në shkencëtarë të ndryshëm. Kjo çështje qysh nga fillimi i ndau albanologët në dy kampe: kampi i parë i autoktonisë dhe kampi tjetër i atyre që mbështetnin tezën e joautoktonisë. Ky debat mendimesh pasqyrohet në historinë e studimeve austro-hungareze për Shqipërinë. Eksplorimet e tyre ishin në një terren krejt të panjohur dhe me një klimë e terren tejet të vështirë. Atyre iu desh të përballeshin me probleme nga më të ndryshmet: zona pa rrugë, higjienë të ulët, apo që mungonte, malaria të shoqëronte kudo, probleme me gjuhën, mosbesimi i popullsisë vendase dhe pasiguri nga ana ligjore në malësinë shqiptare. Shpesh studiuesit linin amanetet e fundit përpara fillimit të ekspeditës. E megjithë këto vështirësi, këta studiues patën arritje të shkëlqyera në albanologji. Me të drejtë Johann Georg fon Hani mund të quhet “babai i albanologjisë”.
Ai ia kushtoi jetën e tij gjuhës shqipe, etnografisë, gjeografisë, historisë së saj, kurse nga fillimi i viteve 1900, autorë të tjerë kishin për bazë studimet e Hanit. Atyre studiuesve u erdhi në ndihmë lulëzimi i shkencave në universitete me mbështetjen e Akademisë Perandorake të Shkencave të Austrisë. Fotografitë e Joszef Sekelit, i cili u bë pjesë e ekspeditës së Hanit, janë sa të rralla për rajonin e Ballkanit, po aq të kuruara me mjeshtri profesionale. Për një fotografi harxhohej dy orë dhe ti transportoje nëpër varka mjetet e fotografimit ishin vështirësia më e jashtëzakonshme. Jozef Sekeli ose “Josef Szekely”, fitoi çmim me medalje bronzi në një panair të organizuar në Paris në vitin 1867. Mendohet se ka pasur edhe fotografi nga Shqipëria. Po ashtu në vitin 1878 përsëri në Paris merr medaljen e argjendtë.
Ndikimi i autorëve shqiptarë në studimin e Hanit është një nga veçoritë e studimit të tij. Nga shumë autorë të shkrimeve të vjetra në gjuhën shqipe ka një sërë emrash, që nga Nikoll Keta, i cili konsiderohet si parardhës i personaliteteve të kulturës shqiptare, si Krispi e Bidera, të cilët ishin nxënësit e tij. Krispi kishte mbetur në tezat e gjuhësisë së vjetër, sa të kërkonte me skrupulozitet marrëdhëniet e gjuhës shqipe me (gjuhën e parë ) hebraishten. Nikoll Keta me librin e tij i ndarë në tre vëllime “Thesarit të shënimeve”, ka kryer një studim për lashtësinë shqiptare në përgjithësi dhe pati një ndikim me tezat e tija në shkencën tonë albanologjike të Rilindjes. Kjo duhet parë nga rrugëtimi që kanë marrë që nga Krispi, De Rada, Dorsa, Hani, Kamarda dhe të tjerë bashkëkohës të tyre, apo që i pasojnë ata. Engjëll Mashi që e shfaq Shqipërinë sa të lashtë po aq të panjohur, është tjetër pasardhës i Ketës me veprën e tij botuar në Napoli në vitin 1807, “Fjalë mbi origjinën, doket dhe gjendjen e tanishme të kombit shqiptar”. (Discorso sull, origine,costume e stato atuuale della nazione Albanese). Kjo vepër pati jehonë, dhe u përkthye e u botua pas dy vjetësh frëngjisht dhe njohu edhe një botim të dytë italisht.
Mashi mbrojti tezën e autoktonisë së shqiptarëve, gjë që e afron me Ketën, të cilit nuk ka informacion se ia njihte veprën, por njihte Lajbnicin dhe Tunmanin që e kishin mbrojtur këtë tezë në vitin 1774. Jeronim De Rada ka pasur një korrespondencë të rregullt me Gustav Majerin që njihen edhe si “Katër letrat e Jeronim De Radës drejtuar Gustav Majerit”. Këto letra ruhen në Universitetin e Gracit në Austri. Në njërën nga këto letra tërhiqet vëmendja e Majerit për alfabetin e gjuhës shqipe, shtrohet problemi i shumë mënyrave të të shkruarit të gjuhës shqipe. Gjurmët e gjuhës sonë, shkruan De Rada – gjenden në lashtësi parahistorike me sa di unë, para dukjes në histori të ilirëve: ato gjurmë të hetuara nga unë më 1840 dhe të vëna në dukje më vonë nga Hani, vlejtën për shumë vetë që të na identifikojnë me pellazgët (plak pleq). Dihet se kjo tezë u bë tezë e rilindësve tanë, e Pashko Vasës, e Sami Frashërit e të tjerëve, të cilët nëpërmjet lashtësisë së madhe të popullit shqiptar, kërkuan të afirmojnë me forcë të drejtat e tyre kombëtare. Në librin monografik kushtuar Hanit i, autorit Gerard Grimm, i cili pas një pune tre vjeçare na dha një monografi të plotë për jetën dhe veprën e Hanit, një botim prej 385 faqesh. Vepra ka shtatë kapituj. Autori përshkruan përpjekjet shkencore të Hanit. Autori ka analizuar shkrimet e Hanit për gjuhën shqipe, lidhur me alfabetin, historinë, etnografinë e folklorin, duke vënë në dukje kontributin e tij në këtë fushë. Sipas Gerardit, opinioni për Hanin si një studiues i talentuar dhe tepër pasionant ishte arsyeja që e tërhoqi për të shkruar këtë monografi. Por, shton autori për Hanin, ai u mor edhe me studimin e fjalorëve që kishin dalë deri në atë kohë në gjuhën shqipe, për të dhënë gjykime e vlerësime e tija. Në udhëtimin nga Janina në Shkodër, ai nuk ndoqi rrugën e një turisti të thjeshtë, përkundrazi u përpoq të njohë sa më mirë historinë e këtij vendi, duke u futur në mjaft shtëpi dhe skuta të vendeve që vizitoi, prandaj edhe vepra paraqet interesa në disa fusha të dijes.
Hanin e tërhoqi edhe gjuha e vendit të shqiptarëve, këtij populli të lashtë në Ballkan dhe për këtë ka ngritur edhe çështje të diskutueshme dhe problemore. Në fushën e shkrimit të shqipes tek Hani vëmë re dy linja: Puna që kreu për të zbuluar gjurmë të shkrimit të vjetër shqip: Përpjekjet që bëri për të zbatuar një variant të alfabetit të shqipes, mbështetur në atë grek. Sensasioni që dha konsulli austriak në Janinë J. G.Han për filologët e Evropës juglindore që interesoheshin për kulturën pellazgjike ishte i jashtëzakonshëm. Entuziazmi që përfshiu atë për zbulimin e një alfabeti të vjetër në vilajetet shqiptare të Perandorisë Osmane, mbasi mendoi se kishte rënë në gjurmët e gjuhës së lashtë pellazgjike, ide që solli diskutime për prejardhjen e këtij alfabeti, ishte i papërmbajtshëm, ku tezat dhe kundërtezat vazhduan edhe në shekullin tonë derisa ju dha fund enigmës së Hanit, duke përcaktuar se hartuesi i këtij alfabeti ishte Teodor Haxhifilipi, i njohur ndryshe si Dhaskal Todri. Është filologu shqiptar Gjergj Pekmezi, i dërguar nga Akademia e Vjenës në Elbasan, për studime dialektologjike dhe në veçanti, për studimin e shkrimeve të vjetra, i cili ra n gjurmët e tyre.
Alfabeti që zbuloi Hani, kishte pasur jehonë në Elbasan dhe në Berat dhe sipas tij, ky ishte sjell nga Voskopoja. Eqerem Vlora botoi në Stamboll një shkrim të përkthyer nga “Studime shqiptare”, që bënte fjalë për shkrimin e vjetër pellazgjik, duke e konsideruar mirësinë që na bëri Hani si shpëtimin e abc-së së vjetër pellazge. Një fakt tjetër interesant për udhëtimin e Hanit nga Janina në Shkodër, ishte edhe qëndrimi në Gjirokastër në shtëpinë e Vaso (Veso) beut. Ai edhe këtu gjeti diçka të veçantë. Gjirokastriti në shkrimet e tij nuk përdorte asnjë shkronjë nga sistemet e shkrimit që mund të përdoreshin në Gjirokastër, por, sipas Hanit, përdorte një alfabet që ishte “sekret”. Një shpikje e njohur në Shqipëri e cila përdorej për të komunikuar mes njerëzve të familjes. Ai arriti të grumbullojë ca gërma dhe t’i botojë në faksimile të veçantë në “Studimet shqiptare”. Janë njëzet shkronja dhe pasqyrojnë 22 fonema shqipe. Alfabeti që përdori J.G. Hani për gjuhën shqipe ishin germa greke, duke kombinuar e duke formuar dyshkronjësha. Hani eci në gjurmët e Vangjel Meksit e u mbështet në alfabetin që kishte përdorur laboviti në përkthimin e “Dhiatës së re”në vitin 1827, mbasi autori e kishte njohur. Alfabeti i diplomatit austriak është mjaft homogjen përsa i përket mbështetjes në alfabetin grek,por është mjaft heterogjen për parimet që zbaton. Hani nuk ndoqi vetëm sistemin dyshkronjëshave në alfabetin e tij,por përdori edhe shenja diakritike. Megjithatë, ky sistem shkrimor pati ndikim te K. Kristoforidhi, me të cilin pati lidhje të ngushta. Por edhe Kristoforidhi me autoritetin e tij shkencor, megjithë respektin që kishte për Hanin gjeti vend në fjalorin e tij për gjashtë ndryshime. Në treshen Meksi, Han dhe Kristoforidhi, secili mundohet të jetë sa më origjinal, duke bërë plotësime dhe ndreqje sipas bindjeve të veta. Ndikim Hani pati edhe te Dhimitër Kamarda. Arbëreshi në dy veprat që botoi më 1864 dhe 1866, zbatoi alfabetin e Hanit, por edhe ai ndryshoi disa germa. Vepra e J.G. Hanit pati vlerë për kohën kur u shkrua dhe qe me një rëndësi të veçantë, mbasi afirmonte gjuhën, historinë e popullit tonë në këtë cep të Evropës Juglindore (dita)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close