‘Shija e keqe’ e procesit për Kryeprokuror të Shtetit

Vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për dekretim ose jo të kandidatit të propozuar të mërkurën, 6 prill, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufaj, do të varet nga fakti se a do të ketë ankesa në institucionet gjyqësore, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, nga kandidatët rivalë të tij në procesin e përzgjedhjes për këtë post.

Zyra e Presidencës së Kosovës, tash për tash, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse pret zgjatje eventuale të këtij procesi deri te vendimi për dekretim ose jo.

Në garën për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

“Çështja do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese”

Ankesë ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, tashmë është paralajmëruar, të paktën nga njëri prej këtyre kandidatëve, Shqipdon Fazliu.

Avokati i tij, Flakron Sylejmani, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht është duke u shqyrtuar dokumentacioni për rastin dhe do të shfrytëzohen “të gjitha mjetet ligjore në dispozicion”.

“Duhet të marrim pak kohë. Ne në afatin sa më të shkurtë të mundshëm do t’i parashtrojmë mjetet tona edhe para Gjykatës Kushtetuese, por edhe në gjykata të rregullta”, theksoi Sylejmani.

Arsyeja e parashtrimit të ankesës edhe në Gjykatën Themelore, sipas tij, bëhet për shkak të parimit të shterjes së mjeteve juridike, për shkak se vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës është akt administrativ. Më pas çështja mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar përmes telefonit edhe me të propozuarin e KPK-së për Kryeprokuror të Shtetit, Blerim Isufajn, por ai nuk ka qenë i qasshëm.

Miftaraj: Proces që la shije të keqe dhe mosbesim

Ndaj procedurës së përzgjedhjes së kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, kanë reaguar organizatat joqeveritare që mbikëqyrin punën e sistemit prokurorial të Kosovës, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, si dhe Lëvizja “Fol”.

Kritika ndaj këtij procesi kanë shprehur edhe ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë në Kosovë, si dhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thekson se vërejtjet ndaj këtij procesi janë të shumta. Në radhë të parë, sipas tij, paneli vlerësues, i përbërë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe drejtuesi i panelit, Jetish Maloku, “nuk kanë pasur qasje të barabartë, të drejtë dhe të paanshme ndaj të gjithë kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit”.

Po ashtu, sipas Miftarajt, në koncept-dokument, përgjigjet e kandidatëve “nuk janë ‘përkthyer’ në mënyrë të drejtë edhe me pikë”.

“Me vetë faktin që kandidati i propozuar për Kryeprokuror të Shtetit (Blerim Isufaj) ka marrë 98 për qind të pikëve nga 100 për qind, përderisa ka defekte profesionale, qoftë në koncept-dokument, qoftë në intervistat me gojë, ka lënë shije të keqe dhe një mosbesim se procesi ka qenë i drejtë, i paanshëm dhe i pavarur”, ka thënë Miftaraj.

Zhgënjimi i SHBA-së, Gjermanisë dhe BE-së

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, përmes një shkrimi në Tëitter, të enjten, 7 prill, tha se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë ” i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën si KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha ambasadori Hovenier.

Edhe shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, tha se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) nuk i ka respektuar rregullat që ky proces të ishte i drejtë dhe transparent.

“I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, tha Szunyog përmes një reagimi në Twitter.

Po ashtu, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde shprehu zhgënjimin për vendimin e KPK-së, duke thënë se kjo nuk është mënyra e “duhur për të ecur përpara”.

KPK: Proces plotësisht legjitim

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar udhëheqësit të panelit vlerësues të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, për të komentuar kritikat lidhur me procesin e propozimit të kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit.

Por, ai është përgjigjur përmes porosisë telefonike duke thënë se “është i zënë në takim”.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Këshillit Prokurorial të Kosovës me pyetjen se si i komenton kritikat e adresuara nga organizatat e shoqërisë civile, por edhe të zyrtarëve të BE-së dhe të vendeve partnere të Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, KPK-ja nuk i ka komentuar këto kritika, por ka thënë se sipas këtij institucioni “ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”.

A duhet të përsëritet procesi?

Ehat Miftaraj nga IKD-ja, thotë se të trija organizatat joqeveritare që kanë mbikëqyrur këtë proces, në raportin e tyre të publikuar kanë dalë me përfundimin se jo vetëm Blerim Isufaj, por as edhe katër kandidatët tjerë për Kryeprokuror të Shtetit, “nuk kanë dhënë rezultate për të besuar se e meritojnë pozitën për të cilën kanë garuar”.

“I gjithë procesi duhet të përsëritet, sepse në bazë të raportit tonë, që është publik, asnjëri prej pesë kandidatëve nuk ka qenë në gjendje të fitojë besimin e publikut se të njëjtit kanë përmbushur arritjet, qoftë në raport me koncept-dokumentin e shkruar, qoftë në raport me intervistën me gojë, gjatë këtij procesi”, vlerësoi Miftaraj.

Kryeprokurori i Shtetit është pozitë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë Kosovë. Ky post ka një mandat prej shtatë vjetësh.

Pas përfundimit të mandatit, asnjë person që ka mbajtur postin e Kryeprokurorit të Shtetit nuk gëzon të drejtën ligjore për të garuar sërish për këtë post.

Kryeprokuror aktual i Shtetit është Aleksandër Lumezi, të cilit i skadon mandati më 21 prill.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close