Kundërshtohet procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të Kosovës

BE, SHBA, Gjermania e shoqëria civile në Kosovë janë shprehur të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. Por Këshilli Prokurorial shprehet, se procesi ishte legjitim.

Përzgjedhja e Kryeprokurorit të Shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ngjalli reagime të ashpra në Kosovë duke bërë që edhe ambasadorë të vendeve të zhvilluara të shprehin zhgënjimin e tyre në lidhje me procesin. Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), pas një procesi disa javor ku garuan disa kandidatë, votoi në mënyrë unanime njërin prej tyre, Blerim Isufaj, për Kryeprokuror të Shtetit dhe e rekomandoi atë për dekretim te presidentja. Procesi i përzgjedhjes së tij, menjëherë u kundërshtua nga shoqëria civile që monitoruan procesin. Nëpërmjet një reagimi të përbashkët, Instituti i Kosovës për Drejtësi, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Lëvizja FOL, thanë se që prej mesit të marsit ata kanë publikuar një raport për shkeljet e konstatuara gjatë procesit vlerësues të kandidatëve për kryeprokuror. Sipas tyre  paneli vlerësues i kishte vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar “duke cenuar meritokracinë e procesit”.

“KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të sqarojë dhe sigurojë se kandidati për Kryeprokuror të Shtetit ka integritet të pakontestuar dhe që i përshtatet pozitës së Kryeprokurorit të Shtetit. Si rrjedhojë, Koalicioni [i organizatave joqeveritare] rekomandonte që i tërë procesi i përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të ri të Shtetit të anulohej dhe të përsëritej, që të evitoheshin shkeljet procedurale dhe defektet e evidentuara”, thuhet në reagim.

Reagime ndërkombëtare

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i drejtuesit të zyrës së BE-së në Kosovë, i ambasadorit amerikan dhe atij gjerman. Tomas Szunyog, kreu i zyrës së BE-së në Kosovë “u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit. “Bashkimi Evropian në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, por KPK (Këshilli Prokurorial i Kosovës), i ka shpërfillur këto parime”, shkroi Tomas Szunyog.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, reagoi duke theksuar, se “ky proces është vërtet zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës”. “Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi ambasadori Rohde në Twitter.

Nuk vonoi shumë dhe reagoi edhe nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hoevenier, duke thënë se “fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues, bie ndesh me atë standard”. Ambasadori amerikan tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasadës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces. “Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ambasadori Hoevenier.

Këshilli Prokurorial kundërshton

Kritikat u hodhën poshtë menjëherë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili në reagimin për publikun tha se procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit ishte plotësisht legjitim. KPK shprehet, se i ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj. Këto procedura sipas KPK-së  janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Mbi të gjitha, KPK-ja ka treguar një transparencë të madhe publike, e cila dëshmohet me rastin e transmetimit të intervistimit të kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit në RTK,*mediumin Publik), publikimin në uebportal të të gjitha koncept-dokumenteve të kandidatëve dhe pjesëmarrjes aktive në takime dhe gjatë intervistimit të kandidatëve të përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, gjë që ju jemi shumë mirënjohës dhe i falënderojmë. Prandaj, Këshilli Prokurorial i Kosovës, thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci”, thuhet në deklaratën e KPK-së.

Pas përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ai duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ende presidentja nuk e ka dekretuar vendimin. Kryeprokurori aktual i shtetit, Aleksandër Lumezi pas shtatë vjetësh në këtë post, më 21 prill 2022 përfundon mandatin./dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close