Ministrja Xhaçka: Kosova për ne është e shenjtë

ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi se diplomacia shqiptare është duke përjetuar një periudhë të paprecedentë suksesesh e arritjesh, ndërkohë që vlerësoi se “pozita e shqiptarëve në rajon është sot më e fortë se kurrë”.

Gjatë punimeve të Kongresit të PS-së, Xhaçka foli në panelin me temë “Rajoni, Europa, Siguria”. Në këtë panel merrnin pjesë po ashtu edhe përfaqësues të lartë nga forcat kryesore politike të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Preshevë.

Xhaçka tha se kjo është një mundësi shumë e mirë për të dialoguar së bashku lidhur me momentin historik që po kalojnë shqiptarët sot, për të ardhmen ku duam të shkojmë dhe sidomos për rrugën që duam të ndjekim të gjithë bashkë për të arritur tek ajo e ardhme.

“Ne duam një të ardhme të orientuar nga bashkëpunimi e shkëmbimet vëllazërore pa kufij e pa pengesa mes nesh, nga paqja, stabiliteti, bashkëpunimi në rajon dhe padyshim integrimi euro-atlantik. Konkluzioni më i rëndësishëm që kanë arritur shqiptarët në historinë e tyre, është se vetëm të bashkuar, vetëm duke punuar së bashku, munden të ndërtojnë të ardhmen”, tha Xhaçka.

Ministrja shtoi se “vetëm pak kohë pasi drejtoi me sukses Presidencën e OSBE, Shqipëria ulet sot në Këshillin e Sigurimit”.

“Ne jemi sot, bashkë me Shtetet e Bashkuara e me ftesë të tyre bashkë-penëmbajtës të dosjes së Ukrainës, kapacitet në të cilin kemi luajtur një rol të rëndësishëm qoftë përmes kalimit të rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme që i bënte thirrje Rusisë të ndalonte luftën, qoftë në vendimin për të përjashtuar Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, qoftë në themelimin e Grupit të Miqve për Llogaridhënie në Ukrainë i cili po punon për evidentimin e krimeve të luftës të kryera nga Rusia gjatë agresionit të saj kriminal kundër Ukrainës. Performanca në Këshillin e Sigurimit, edhe pse padyshim pjesa më e rëndësishme, nuk është një histori e veçuar. Shqipëria është duke kontribuar me ide e qëndrime konkrete e parimore në çdo organizatë ku bën pjesë”, tha ajo.

Po ashtu, Xhaçka shtoi se “procesi i integrimit ka avancuar shumë duke arritur madje në një përmbysje të skemës, ku sot nuk bëhet më fjalë nëse Shqipëria, e meriton hapjen e negociatave, por nëse BE do të arrijë të mbajë fjalën e dhënë Shqipërisë duke hapur negociatat”.

“Krahas reformave të thella të integrimit në çdo fushë, në politikën e jashtme, linjëzimi 100% me BE, puna aktive për të çuar përpara interesat e përbashkëta dhe agjendat e përbashkëta me BE, që nga agjenda Gratë Paqja e Siguria e deri tek çështjet e radikalizmit të dhunshëm dhe e drejta ndërkombëtare, sot kanë bërë që edhe ato vende që dikur ishin më skeptiket për Shqipërinë të zgjerojnë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me ne”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se “performanca jonë në NATO është kthyer në një argument më shumë kundër opinioneve se Shqipëria nuk është gati për të hapur negociatat”.

Për sa i përket marrëdhënieve bilaterale, Xhaçka theksoi se “arritjet janë po aq të rëndësishme”.

“Marrëdhëniet me partnerët strategjikë tradicionalë, Italia, Turqia, Gjermania, janë sot më të forta se kurrë. Marrëdhënia me Greqinë është duke ecur në drejtimin e duhur përmes adresimit të çështjeve që na ndajnë. Janë forcuar shumë marrëdhëniet me vende me të cilat dikur kishim fjalë shumë e punë pak, siç janë vendet e Gjirit Persik e Lindjes së Mesme. Ne jemi krenarë që partneriteti strategjik me SHBA, si aleati ynë më i rëndësishëm me të cilin na lidh një marrëdhënie krejt e veçantë, është sot më i fortë se kurrë dhe më efikas se kurrë. Shqipëria shihet si partneri më i rëndësishëm e më i besueshëm i Shteteve të Bashkuara në rajon dhe jemi duke punuar së bashku për të investuar në çdo aspekt të marrëdhënieve dypalëshe, që nga siguria e mbrojtja, ekonomia e biznesi, arti, kultura e arsimi, e padyshim në arenën ndërkombëtare”, tha ajo.

Ministrja theksoi se prioritete mbetet kauza e shqiptarëve në rajon, të drejtat e shqiptarëve në rajon, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Preshevë dhe ku padyshim, e për arsye të kuptueshme fokusi kryesor në këto vite ka qenë Kosova.

“Është një çështje që e ngremë në çdo takim bilateral duke lobuar për njohje e për anëtarësim të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është një çështje që e ngremë me forcë e pa u lodhur me BE dhe vendet anëtare duke denoncuar me forcë padrejtësinë që i bëhet Kosovës duke e izoluar në mes të Europës pa mbajtur premtimin për liberalizimin e vizave. Është një çështje që e kemi prioritet të punës tonë në Këshillin e Sigurimit ku po punojmë pa u lodhur jo vetëm për sa i përket pakësimit të raportimeve të UNMIK në Këshill, por edhe për të zgjeruar marrëdhëniet me ato vende, si për shembull në Afrikë, ku procesi i njohjeve nuk ka ecur mbarë e ku ende duhet shumë punë”, tha ajo.

Xhaçka shtoi se “puna që po bën Shqipëria në rajon në funksion të rritjes së bashkëpunimit rajonal, e posaçërisht puna për nismën Ballkani i Hapur, ka shkaktuar shqetësim tek një pjesë të forcave politike e të shoqërisë shqiptare në rajon, të cilat e kanë kuptuar këtë nismë si një zbehje të mbështetjes së Shqipërisë për Kosovën”.

“E vërteta padyshim s’është kjo sepse Kosova për ne është e shenjtë, ashtu siç është e shenjtë kauza e shqiptarëve në rajon. E vërteta është shumë më e thjeshtë dhe ka dy pjesë. Në njërën anë, kjo nismë është një mekanizëm që zbaton e përshpejton proceset e parashikuara në Procesin e Berlinit. Përshpejtim i cili sjell përfitime konkrete për të gjithë rajonin, përfshirë shqiptarët”, shtoi Xhaçka.

Ana tjetër, sipas saj “është dimensioni strategjik i kësaj nisme e cila në fakt, ashtu si Procesi i Berlinit, ngrihet mbi filozofinë që zgjidhja e problemeve që ka ende sot rajoni, kalon nga bashkëpunimi e integrimi”.

“Kjo padyshim nuk do të thotë që të harrohet e shkuara. Kjo do të thotë që të shohim nga e ardhmja për ta kërkuar aty adresimin e problemeve të së shkuarës. Një e ardhme që mund ta ndërtojmë së bashku duke replikuar një eksperiencë të suksesshme që ne e dimë, atë të Bashkimit Europian. Por si mund të replikohet kjo eksperiencë në rajonin tonë pa përfshirë në të shqiptarët e serbët, që janë dy popujt më të mëdhenj që përcaktojnë prej shekujsh historinë e rajonit? A nisi Bashkimi Europian me Gjermaninë e Francën, armiq shekullorë me luftëra me miliona viktima, apo me Irlandën dhe Greqinë? Fqinjët nuk i zgjedhim. Nuk e kemi ne në dorë të vendosim kë kemi në kufi e me kë na ka lidhur për mirë a për keq historia. Ajo që ne kemi në dorë është të ndërtojmë një vizion për të ardhmen që ngrihet përmbi konfliket e të shkuarës dhe që, duken qenë që ka në thelb bashkëpunimin e integrimit, krijimin e lidhjeve njerëzore, ekonomike, tregtare e politike, na ndihmon paskëtaj të trajtojmë në mënyrën më konstruktive e efikase çdo çështje ende të pazgjidhur në rajonin tonë”, shtoi Xhaçka.

Në përfundim, Ministrja theksoi se “pozita e shqiptarëve në rajon është më e fortë se kurrë”.

“Ndaj duhet t’i japim udhë një dialogu konstruktiv e gjithëpërfshirës për mënyrën më të mirë sesi mund t’i navigojmë së bashku vështirësitë që kemi përpara, por edhe si mund të bashkojmë forcat e të krijojmë sinergji për të shfrytëzuar sa më mirë momentin historik që po kalojmë si popull shqiptar”, theksoi ajo.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close