Scholz: Gjermania angazhohet për fillimin sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë

ATSH/ Kancelari Federal i Gjermanisë, Olaf Scholz deklaroi sot se, Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Scholz tha se, “Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në BE është shumë i rëndësishëm për mua. Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen që është një nga detyrat më të rëndësishme që ka Evropa para vetes, pikërisht që të mundësojë këtë integrim”.

“Për Gjermaninë Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike, si pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane. Prandaj dëshiroj të kërkoj me shumë intensitet shkëmbime dhe kontakte me kryetarët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

“Në këtë takim të parë ne u thelluam në një sërë temash. Marrëdhëniet e ngushta midis vendeve tona, për procesin e afrimit me BE, për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin perëndimor dhe natyrisht dhe për koordinimin e qasjes sonë përballë luftës agresive ruse kundër Ukrainës”, tha ai.

“Agresioni vrastar dhe i pakuptimtë i Rusisë kundër Ukrainës na bën të qartë dhe në mënyrë të dhimbshme para sysh që arritjet evropiane të dekadave të fundit nuk janë më diçka e vetëkuptueshme. Ne duhet të angazhohemi çdo ditë nga e para për një jetë në një hapësirë të hapur lirie e demokracie të sundimit të ligjit e të mirëqenies”, theksoi Scholz.

“Me këtë dije Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejt të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe kjo ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe në këtë kuadër për gjithë Evropën”, nënvizoi Scholz.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast për ta falënderuar Shqipërinë. Në plan ndërkombëtar Shqipëria merr përsipër përgjegjësi me rolin e saj proaktiv dhe konstruktiv, si anëtar jo i përhershëm i këshillit të Sigurimit të OKB-së, si aleate e NATO-s, si anëtare e OSBE-së dhe në shumë forume ndërkombëtare të tjera”, tha Scholz.

“Shqipëria i mbështet vendimet e BE-së në politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë me 100%. Njësoj si ne Shqipëria dënon luftën agresive të Rusisë kundër Ukrainës. Njësoj si ne dhe partnerët në BE, Shqipëria dënon në mënyrë të qartë dhe të dallueshme krimet e kryera nga Rusia ndaj popullatës civile dhe zbaton sanksionet kundër Rusisë. Së bashku ne i kërkojmë presidentit Putin tani të bjerë dakord për një armëpushim, të mundësojë furnizimin humanitar dhe të zhvillojë negociata të vërteta paqeje”, tha Scholz.

I pyetur nga gazetarët nëse ka plan konkret Gjermania për fillimin e negociatave me Shqipërinë Scholz tha se, “çështjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE e përmenda disa herë, jo vetëm sot kur jemi takuar bashkë por dhe në shumë raste të tjera. Ajo përmendet në programin e qeverisë aktuale dhe në takimet në Evropë sepse unë besoj që tani është momenti që duhet kapur pikërisht ajo që përmendët ju në pyetjen tuaj, që ka kaluar vërtetë një kohë e gjatë dhe tani duhet të pasojë hapi tjetër. Unë jam krejtësisht i këtij mendimi, prandaj vetëm mund t’ju siguroj që me fuqinë që kam unë dhe me gjithë mbështetjen qeverisë Federale dhe të Bundestagut do të japim atë kontribut që kjo të ndodhë vërtetë”.

Nëse e sheh Ballkanin e Hapur si një mjet që të përshpejtohet Procesi i Berlinit, Scholz tha se, “përshtypja ime është jetojmë në kohë të reja dhe ka të bëj dhe me agresionin rus dhe prandaj tek shumë njerëz në Evropë është rritur vëmendja në Evropë që ne duhet ta mbështesim njëri-tjetrin në situatën e tanishme”.

“Unë në çdo rast do të angazhohem dhe do të angazhohem për gjithçka që e mbështet projektin e Berlin. Ka shumë aktivitete që janë të dobishme, por e rëndësishme është që këndvështrimi të ruhet, që bashkëpunimi të përmirësohet që hapat e lirive bazë të mundësohen në mënyrë që prej kësaj të rritet diçka që të çojë në një anëtarësim në BE dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfundojë në një zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor”, theksoi Scholz.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close