KAOSI RRETH POEZISË

Duhet pranuar se rrethanat aktuale letrare imponojnë shumë dilema e paqartësi, por edhe disa të vërteta, të cilat ndonëse të hidhura, vazhdojnë të mos e shqetësojnë askënd. Rrjetet sociale kanë nxjerrë në pah edhe të vërtetën se tashmë më shumë kemi poet se sa lexues. Është e çuditshme nevoja dhe dëshira që të gjithë të bëhen poetë, thuajse poezia është materie profitabile, për të mos thënë se ajo është bërë modë.
Poezia shkruhet e botohet pa pushuar, ditë e natë dhe kush e lexon e lexon, por edhe ata që nuk e lexojnë, nuk humbin shumë, mbase thamë: më shumë kemi poet se sa lexues.
Ka disa “poetë” që vargjet i kanë vetëm parulla dhe asgjë tjetër.
Ka disa të tjerë që radhisin vetëm sentenca të huazuar filozofike.
Ka edhe të tillë që kalojnë në patos, duke bërë vjersha kuq e zi.
Natyrisht, ka edhe të tillë që dështimet e tyre në dashuri, duan t’i imponojnë si problem kombëtar përmes “vargjeve” plot vaj e dëshpërim.
Gjithsesi, ka edhe të tillë që as vetë nuk e kuptojnë se çfarë kanë shkruar.
Janë edhe disa grupime apo qarqe të mbyllura që e shkruajnë të njëjtën poezi, duke rënë në grackën modelit që duan ta imponojnë si diçka kulmore.
Që të jetë ironia edhe më e madhe, janë disa individë që kanë hapur “fabrika” për prodhimin e poezive në formë serike (prozën nuk e preferojnë se ju duhet shumë kohë e humbja kohë do të thotë edhe humbje lekësh), të cilat në tregun e fshehtë i shesin me një çmim të arsyeshëm dhe të kapshëm për “poetet” që lindin aty për aty.
Me siguri dikush do të ketë vërejtur pamjen e zymtë të disa shtypshkronjave (që janë bërë edhe shtëpi botuese), që çdo botim e përcjellin me fotografi, ku shihet autori me familjen e tij, të gjithë duke mbajtur nga një kopje të “librit” të botuar, pamje këto që janë një mizori e vërtetë. Por, ja që edhe përmes kësaj shëmtie bëhet “reklamë” e ultë.
Dëmin e bëjnë edhe më të plotë “antologjitë” e shumta “poetike”, të cilat përpilohen edhe pa kriteret më elementare. Ndaj nuk duhet të habitemi që shumë anonimë paguajnë që të “shpërthejnë” në saje të këtyre “antologjive poetike”. Në këto “poezi të shkruara dhe të botuara” ka gjithçka, por nuk ka vetëm poezi.
Është koha që dikush të shqetësohet rreth kaosit në poezi. Hapja e një debati të mirëfilltë (HEJZA fton publikisht që të debatojmë rreth këtyre shëmtive që dëmtojnë letërsinë shqiptare), gjithsesi do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë. Përderisa nuk e themi të vërtetën, poezi edhe në të ardhmen do të konsiderohet si modë që do të ketë shumë ndjekës dhe inflacion poetik të llojit: të gjithë shkruajnë poezi e askush nuk lexon, përfshi edhe ata që shkruajnë e mendojnë se janë alamet “poetë”…/HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close