MASHT deklarohet për vendimin e Kushtetueses për shkollat në Kamenicë
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) janë deklaruar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila ka hedhur poshtë vendimin e Ministrisë së Arsimit për organizimin e mësimit alternativ të përshpejtuar dhe përcaktimit të organizimit të mësimit në objektet shkollore në Komunën e Kamenicës.
MASHT ka thënë se e konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të juridiksionit të saj) të gjendjes së krijuar.
“Rikujtojmë se Vendimi 01B/24 është marrë më 23 prill 2021, me qëllim që t’u mundësohet nxënësve të pesë vendbanimeve të Komunës së Kamenicës kompensimi i pjesshëm i orëve të humbura, si rezultat i mosvijimit të mësimit prej fillimit të vitit shkollor 2020/21. 441 nxënës të moshës 6-14 vjeç nuk e kanë vijuar mësimin për 8 muaj, e më shumë se 100 prej tyre nuk kanë vijuar mësimin për rreth dy vite. Prandaj, me këtë vendim, MASHTI ka konsideruar përmbushjen e obligimin ligjor për t’iu siguruar fëmijëve të mbetur jashtë shkollës të drejtën për shkollim, duke konsideruar se mbrojtja e interesit të fëmijëve bën pjesë në kategorinë e obligimeve parësore. Pa u ndalur në interpretimin e Aktgjykimit, për shkak të njohjes së funksionit të Gjykatës si interpretues i Kushtetutës, risjellim në vëmendje se situata faktike e krijuar që nga fund-korriku 2021 dhe në vijim, është plotësisht në përputhje me përcaktimin e Aktgjykimit në fjalë, prandaj MASHTI-i nuk ka nevojë të ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tillë. MASHTI-i konsideron që Aktgjykimi përbën një vlerësim të kufizuar (për shkak të karakterit objektiv të jurisdiksionit të saj) të gjendjes së krijuar. Ne respektojmë Aktgjykimin në plotni, ashtu siç e përcakton shkronja dhe fryma e Kushtetutës. Megjithatë, siç është e vërejtshme edhe në vet dispozitivin e Aktgjykimit në fjalë, aty vetëm ‘deklarohet’ një mospërputhje e një gjendjeje faktike që është shuar së ekzistuari në fund të korrikut të vitit 2021. Një fakt i tillë është tregues që Aktgjykimi KO145/21 nuk përcakton asnjë mospërputhje kushtetuese që ekziston aktualisht, apo të tillë që do të duhej t’i ndërpritej pasoja juridike (paragrafi 92 i Aktgjykimit)”, thuhet në komunikatën e MASHTI-t të cilën e ka publikuar në profilin e saj edhe ministrja Arbërie Ngavci.
Tutje në komunikatë thuhet se pas një analize të të gjeturave të Aktgjykimit, MASHTI-i ka vërejtur që ky i fundit e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit të MASHTI-it sa i përket përputhshmërisë së tij me parimet e vetëqeverisjes lokale, vlerësim ky i natyrës kryesisht formale, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese, për shkak të mungesës së jurisdiksionit në rastin konkret, nuk e ka vlerësuar aspektin e përputhshmërisë së Vendimit 01B/24 me të drejtën në arsim të garantuar me Nenin 47 të Kushtetutës (ndërlidhur me Nenin 2 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut).
Comments are closed.