Tarifat e reja të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë
ATSH/ Enti Rregullator i Energjisë miratoi sot në mbledhjen e Bordit rritjen e tarifës së transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, duke nisur nga data 1 maj.
Nga tarifat e reja nuk preken konsumatorët familjarë dhe biznesi i vogël.
Sipas vendimit të Bordit të ERE-s, tarifa mesatare e transmetimit nga data 1 maj-31 dhjetor 2024 do të jetë 0.85 lekë/kwh, nga 0.75 lekë/kwh që ishte deri më tani. OST kishte kërkuar që tarifa të ishte 1.47 lekë/kwh.
Ndërkohë sipas vendimit të Bordit të ERE-s, tarifa e shpërndarjes, për klientët e lidhur në tensionin 35 KV ajo do të jetë 1.55 lekë/kwh, nga 1.5 lekë/kwh që është aktualisht, ndërsa për abonentët e lidhur në tensionin 20, 10 dhe 6 KV tarifa e re do të shkojnë në 3.99 lekë/kwh nga 3.9 lekë/kwh që ishte aktualisht. Tarifat e shpërndarjes do të jenë në fuqi deri në fund të këtij viti.
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes kërkonte që tarifa për tensionin 35 KV të ishte 2.62 lekë/kwh dhe për tensionin 20, 10 dhe 6 KV, 4.14 lekë/kwh.
Comments are closed.