Sindikalistët nuk shohin sinjale nga qeveria për plotësim të kërkesave

Sindikatat  kanë paralajmëruar greva nëse pas datës 20 prill nuk do të jetë gati Ligji për Paga. Drejtues të  Sindikatave, kanë bërë të ditur për Radio Kosovën se deri me tani nuk ka ndonjë sinjal për gatishmëri nga ana e qeverisë për të diskutuar në lidhje me kërkesat e tyre. E, drejtues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës theksuan se ditëve të fundit ka pasur një dialog me qeverinë dhe se ai pritet të vazhdojë.

Pas një kohe të gjatë dhe kërkesave të shumta nga sindikatat, qeveria ende nuk e ka bërë publik versionin final të Ligjit për Paga. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari,  në një përgjigje për Radio Kosovën tha se pas datës 20 prill, nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje ose takim me qeverinë, kryesia e kësaj sindikate  do të marrë vendim për hapat sindikalë, duke mos përjashtuar edhe grevën.

“Data 20 prill është datë e cila Kongresi i SBASHK-ut e ka caktuar si hapësirë për dialog. Dhe ne po presim lëvizjet që do të ndodhin, dhe pastaj pas kësaj date Këshilli Drejtues do ta thotë fjalën e vet duke analizuar situatën dhe duke bërë agjendën e angazhimeve për dialog dhe hapave sindikalë”, tha Jasharaj.

Edhe kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, i tha Radio Kosovës se pas vonesave nga ana e qeverise për publikimin e versionit final të Ligjit për Paga, pas datës 21 prill  kjo sindikatë do të marrë vendim për hapat e mëtejshëm.

“Deri më tani nuk ka bashkëpunim nga ana e qeverise për sa i përket Ligjit për Paga, dhe si duket qeveria po e mban të mbyllur këtë proces. Të shohim nëse pas datës 21 prill sindikatat e tjera a po marrin ndonjë vendim për grevë e pastaj ne do ta shqyrtojmë mundësitë tona se çfarë reagimi sindikal do të kemi. Kjo është e papranueshme!” , tha Syla.

Ndërkohë, kryetari Bashkimi të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli,  në një përgjigje për Radio Kosovën bëri të ditur se ditëve të fundit ka ndodhur një takim me përfaqësues të qeverisë, e që  pritet të vazhdojë edhe ditëve në vazhdim.

“Jemi duke e zhvilluar një dialog me partnerin tonë social, Qeverinë e Kosovës. Para dy ditësh kemi pasur një takim me përfaqësues të qeverisë dhe kemi filluar që gradualisht kërkesat tona t’i qesim në pah. Tash mbetet të shihet ditëve në vijim se si do të rrjedhin bisedimet”, tha Hykolli.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, në protestën e fundit ka kërkuar nga qeveria miratimin e Ligjit për Paga, nisjen e zbatimit të Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, plotësim-ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe nënshkrimin e marrëveshjes kolektive gjithëpërfshirëse.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close