ARTISTËT E HARRUAR, PSE!?

Qasja e mbrapsht, secili për vete, përfshi edhe ata që janë në krye të institucioneve kulturore, ka bërë që lehtësisht t’i harrojmë artistët tanë, të cilët, fatkeqësisht, nuk jetojnë më. Sot për ta nuk kujdeset askush, pos ndonjë anëtari të familjeve të tyre që, përmes rrjeteve sociale, na e bëjnë me dije ditën e lindjes apo të vdekjes.
Dikur, bie fjala, stafi drejtues i botimeve të “Rilindjes” dhe ai i botimeve të “Flakës”, herë pas herë botonin përzgjedhje të autorëve të vdekur, me çka sado pak kontribuonin që ata autorë të mos i mbulojë harresa.
Por sot, si qëndron puna? Çfarë bëjnë fakultetet e katedrat e letërsisë dhe gjuhës shqiptare? Përse këto institucione nuk i përkujtoni shkrimtarët që kanë lënë gjurmë të pashlyera në letërsinë tonë?Përse shtëpitë e sotme botuese nuk angazhohen që të botojnë brenda vitit së paku një autor që ka ndërruar jetë. Ose çfarë bëjnë teatrot tona? Perse as ato nuk i përkujtojnë me ndonjë monografi aktorët që nuk janë më midis nesh. Ose kush duhet t’i përkujtojë piktorët, këngëtarët, kompozitorët e kështu me radhë që i dhanë shumë artit shqiptar!
Në vend të kësaj, sot, të kapluar nga një “sëmundje” patologjike, secili mundohet ta nxjerrë vetveten në plan të parë, pavarësisht faktit se nuk posedojnë as vlera më elementare artistike. Mbase, edhe kultura është bërë fushë profiti, e cila dominohet nga dukuritë e shëmtuara. Natyrisht, kësaj dukshëm i kanë ndihmuar edhe politikat e mbrapshta shqiptare, të cilat i fusin hundët edhe aty ku nuk e kanë vendin.
Politikat e këtilla kanë dëmtuar deri në palcë sistemin arsimor dhe sot ky sektor, për shkak të politizimit të skajshëm, është buzë greminës. Një arsimim i tillë që prodhon më shumë analfabetë se individë të ditur, është shumë e pritshme që të reflektohet edhe në kulturë.
Gabohet shumë nëse dikush mendon se kultura zhvillohet vetvetiu, përkundrazi ata e bëjnë individët, artistët e vërtetë, të cilët, përmes sakrificave të natyrave të ndryshme, arrijnë në majat më të larta, duke i dhënë kulturës vlera që s’kanë çmim. Ndaj, pikërisht këta artistë, duhet të përkujtohen jo për ta, por thjeshtë për t’ua bërë me dije gjeneratave të reja se nga gjiri i popullit kanë dalë shumë artistë, që i kanë dhënë hov zhvillimi kulturës shqiptare./HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close