QKUK-së dyshohet se iu zhvatën mbi 104 mijë euro
Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë kundër të pandehurve F.H., L.J. dhe Y.K., në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, më 22 dhjetor 2020, të pandehurit, në cilësinë e personave zyrtarë (IT), në QKUK, në bashkëkryerje, kanë shfrytëzuar detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo tjetrin, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Të njëjtit, në aktivitetin e prokurimit “Furnizimi dhe montimi i Sistemit të integruar të monitorimit me kamera dhe Integrimi i sistemit të kontrollit të qasjes”, kontratë e nënshkruar në mes të QKUK dhe operatorit ekonomik “Artech”, tërë aktivitetin e kryer në dhjetor të vitit 2020, përfshirë pranimin e mallit, ekzekutimin e punimeve dhe pranimin teknik të punimeve, kanë nënshkruar një raport fiktiv.
Kjo është bërë në kundërshtim me gjendjen faktike, duke i shkaktuar dëm material QKUK-së, në shumën prej 104 mijë e 751 euro
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë.
Comments are closed.