Freedom House: Thaçi e Haradinaj, figura të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin

Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj janë etiketuar nga organizata ‘Freedom House’ si figura të lidhura me krimin e organizuar dhe korrupsionin në vend.

“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhet në raport.

KALLXO.com ka kontaktuar zyrën për media të AAK-së për të marrë një qëndrim për pretendimet e Freedom House, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndërsa për pretendimet ndaj ish-presidentit Thaçi, KALLXO.com ka kontaktuar ish-shefin e kabinetit të Thaçit, Bekim Çollakun i cili ka thënë se kjo është një deklaratë politike dhe e pasaktë.

“Nuk e konsideroj raport por më tepër një deklaratë politike të pasaktë dhe shumë të dëmshme për Kosovën. Presidenti Thaçi po mbahet në paraburgim në Hagë për gati dy vite pikërisht përshkak të trillimeve nga raportet e pavërteta. Autorët e kësaj deklarate politike kanë dështuar të ofrojnë qoftë edhe një fakt të vetëm për të mbështetur akuzat e tyre”, ka theksuar ai.

Në këtë raport është përmendur edhe ndikimi i Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe.

“Korrupsioni e klientelizmi shpesh bëjnë presion për votë. Biznesmenët e pasur në Kosovë mund të kenë ndikim në zgjedhjet politike të punëtorëve të tyre. Serbia vazhdon të ushtrojë ndikim me platformën e Listës Serbe, si dhe të zgjedhjeve politike të serbëve etnikë në përgjithësi”, thuhet në raport.

Kosova është vlerësuar dobët në iniciativat e saj për të luftuar korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Në pyetjen se a janë  të forta dhe efektive masat mbrojtëse kundër korrupsionit zyrtar, Kosova ka marrë vetëm një pikë.

“Korrupsioni dhe kapja e shtetit janë të përhapura dhe kuadri institucional për t’i luftuar ato është i dobët. Mandatet e katër organeve kryesore të Kosovës kundër korrupsionit mbivendosen dhe ato kanë vështirësi në koordinimin e përpjekjeve të tyre”, thuhet në raport.

Poashtu në raport theksohet se autoritetet kanë treguar pak përkushtim për ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe kur zyrtarët e lartë ndiqen penalisht, ‘dënimet janë të rralla’.

Kosova radhitet sërish në grupin e regjimeve hibride/demokraci tranzicionale.

Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është shkalla më e ulët e demokracisë, sipas raportit të sivjetmë Kosova shënoi një përparim nga 3,14 pikë sa kishte në raportin paraprak, në 3.25.

Rritja është shënuar në kategorinë e qeverisjes demokratike në vend, që ishte 2.50 pikë në raportin e vitit të kaluar, ndërsa këtë vit është 3.00.

Vlerësimet për pavarësinë e gjyqësorit janë rritur po ashtu në 2.75, ndryshe nga 2.50, sa ishte në raportin e kaluar, ndërsa të gjitha vlerësimet tjera mbeten të pandryshuara nga një vit me parë.

Freedom House vlerëson aksesin e njerëzve në të drejtat politike dhe liritë civile në 210 vende dhe territore përmes raportit të saj vjetor Liria në Botë. Liritë individuale duke filluar nga e drejta e votës deri te liria e shprehjes dhe barazia para ligjit./kallxo.com/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close