FSK në “Defender Europe 23” mes ushtrive të 28 shteteve
Ministria e Mbrojtjes përmes Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së si dhe me të gjitha strukturat komanduese të të gjitha niveleve, ka filluar procesin planifikues për pjesëmarrjen në stërvitjen “Defender Europe 23”.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi oficerët, nënoficerët dhe nëpunësit në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, për t’i përgëzuar për fillim të mbarë të ndërmarrjes më të madhe stërvitore, së bashku me forcat e 28 vendeve aleate të udhëhequra nga Komanda e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë.
“Defender-Europe’23” do të jetë sprova jonë që do ta realizojmë me sukses të plotë dhe do të ri-konfirmojmë fuqishëm se jemi të gatshëm plotësisht për të dhënë kontributin efektiv bashkë me forcat e vendeve aleate në sigurinë dhe stabilitetin rajonal, kontinental dhe global”, deklaroi ministri Mehaj.
Ai tha se objektiv kryesor për vitin 2022/23, është zhvillimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale për mbrojtjen e integritetit territorial, pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.
Megjithatë, nuk është hera e parë që FSK-ja merr pjesë në stërvitje të ngjashme.
Vitin e kaluar, FSK-ja kishte përmbyllur me sukses misionin e saj në stërvitjen “Defender Europe 2021”, në të cilën ishin pjesëmarrës 27 shtete me 28 mijë ushtarë.
Demonstrimi i aftësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vlerësuar lartë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ushtrimi Defender 21” vitin e kaluar shtrihej në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rajonin e Detit të Zi dhe Baltikut.
Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim mori pjesë me 330 pjesëtarë duke përfshirë: HICON (kontrolla e lartë), Audiencën primare dhe Audiencën sekondare. Audiencë primare nga FSK ishte Kompania A e Regjimentit të parë të Këmbësorisë.
“Europe Defender” është ushtrimi më i madh ku ka marrë pjesë Kosova dhe FSK, duke dëshmuar gatishmërinë dhe kapacitetet e saj ushtarake.
Comments are closed.