Mandati i UNMIK-ut

Partitë në vend e kanë mbështetur kërkesën e SHBA-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë, pasi sipas tyre, tashmë nuk ka asnjë rol në vend.

Por, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thonë se largimi i UNMIK-ut varet nga Kina e Rusia kryesisht.

Për punën e UNMIK-ut u diskutua në mbledhjen e së mërkurës në Këshillin e Sigurimit gjatë së cilës u shqyrtua raporti i radhës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për këtë mision.

Ndërprerjen e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë e mbështesin partitë politike të vendit, sipas të cilave një gjë e tillë do të ishte një lajm I mirë për Republikën.

“Tashmë është e tejskaduar ose i tejskaduar mandati i UNMIK-ut dhe njëkohësisht i Rezolutës 1244, Kosova është vend i pavarur, sovran dhe natyrisht kuptohet që në Këshillin e Sigurimit janë dy shtete të cilat janë ende anëtare ose të cilat e ushtrojnë veton, ato janë Rusia dhe Kina që do të kundërshtonin një propozim të tillë. Megjithatë në përmbajtje ose realisht në teren, në Kosovë nuk e ka asnjë kuptim funksionimi i UNMIK-ut, gjegjësisht i misionit të formuar sipas Rezolutës 1244”, tha Mimoza Kusari Lila – Vetëvendosje.

“Ajo është gjëja më e mirë nëse do ti ndodhte Republikës së Kosovës, që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të mos jemi peng i asaj rezolute sepse në Republikën tonë është krijuar një realitet i ri nga 17 shkurti i vitit 2008, dhe ajo rezolutë nuk ka kurrfarë kuptimi sepse në teren ajo nuk zbatohet. ne jemi shtet sovran, i pavarur, i njohur nga mbi 100 shtete”, Abelard Tahiri –  PDK

“Me deklarimin e pavarësisë, UNMIK-u për Kosovën është inegzistent, Rezoluta 1244 nuk mund të ndryshohet prej Prishtinës, ajo ndryshohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Me Rezolutën 1244 janë edhe trupat e KFOR-it, pra UNMIK nuk ka asnjë rol administrativ në Kosovë, ne si Grup Parlamentar nuk i kemi takuar dhe roli i tyre është minimal, por është në rregullin 1244, e mbi atë rregull ka raportur edhe ministrja e Punëve të Jashtme”, Besnik Tahiri – AAK.

Nga LDK-ja kanë thënë se është kërkesë e kamotshme e LDK-së ndërprerja e mandatit të UNMIK dhe përfundimi i mandatit të këtij misioni të cilin e ka quajtur të panevojshëm më në Kosovë.

Por, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në një të afërt të afërt për shkak të pesë shteteve anëtare të Këshillit që nuk e kanë njohur akoma Kosovën thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

“Rezoluta 1244 është e themeluar nga Këshilli i Sigurisë ku bëjnë pjesë pesë vendet e përhershme, në mesin e tyre Kina edhe Rusia. Ndryshimi apo shfuqizimi i Rezolutës varet nga vullneti i këtyre dy shteteve, që do të thotë se nëse do të vinte kjo iniciativë nga shtetet tjera anëtare të përhershme, do të duhej që së paku Kina e Rusia të abstenonin apo të mos kishin votë kundër apo të mos e shfrytëzonin të drejtën e vetos”, Ehat Miftaraj – IKD.

Nga viti 1999, bazuar në Rezolutën 1244, UNMIK-u ka raportuar mbi situatën në Kosovë në periudha të rregullta tremujore.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close