Varre të mundshme masive pranë Mariupolit

Zyrtarët ukrainas thonë se pamjet satelitore nga një zonë pranë Mariupolit me grumbuj dheu, tregojnë se ka varreza të reja masive.

Lufta nuk tregoi shenja zbutjeje të premten, pasi Rusia goditi objektiva në Ukrainën lindore në një ofensivë të re për të marrë qendrën industriale të vendit.

Maxar Technologies publikoi pamje të reja satelitore që tha se tregonin më shumë se 200 varre në një qytet pranë Mariupolit dhe zyrtarët lokalë akuzuan Rusinë se kishte varrosur mijëra civilë në ato varre.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut dha alarmin rreth provave në rritje të krimeve të luftës në Ukrainë, duke i kërkuar Moskës dhe Kievit që të urdhërojnë luftëtarët të respektojnë ligjin ndërkombëtar.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se forcat ruse kontrollojnë pjesën më të madhe të Mariupolit, por trupat ukrainase vazhdojnë të qëndrojnë në një pjesë të tij.

Të enjten, udhëheqësi rus pretendoi fitore në betejën për Mariupolin, edhe pse rreth 2,000 ukrainas mbeten të strehuar në një fabrikë gjigande çeliku në qytetin strategjik.

Qytetet në Donbas u vunë në shënjestër të zjarrit rus gjatë natës dhe sulmet ndërprenë përpjekjet për të evakuuar civilët në një nga zonat, sipas një zyrtari rajonal.

Gjenerali rus Rustam Minnekayev tha se Moska synon të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën jugore dhe lindore, objektiva lufte shumë më të gjera nga sa kishte pranuar më parë, ndërsa vazhdon me një ofensivë të re.

Gjenerali tha se Moska synonte të merrte Donbasin, ta lidhte me gadishullin e Krimesë dhe të merrte nën kontroll të gjithë jugun e Ukrainës deri tek një rajon separatist i Moldavisë i pushtuar nga Rusia.

Ndërkohë Ukraina tha se forcat ruse kishin shtuar sulmet përgjatë gjithë vijës së frontit në lindje të vendit dhe po përpiqeshin të kryenin një ofensivë në rajonin e Kharkivit, në veri të Donbasit.

Në planin diplomatik, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel në një telefonatë të premten i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin që të angazhohet drejtpërdrejt me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë, tha një zyrtar i BE-së.

Zoti Michel bëri thirrje gjithashtu për një armëpushim me rastin e Pashkëve Ortodokse dhe për një kalim të sigurt për civilët që kërkojnë të largohen nga qytetet e rrethuara si Mariupol.

Presidenti Putin reagoi duke thënë se do të zhvillonte bisedime të drejtpërdrejta me homologun Zelenskiy vetëm nëse diskutimet e vazhdueshme midis dy vendeve japin rezultate konkrete, siç njoftoi Kremlini të premten.

Ndërkohë kryeministri Boris Johnson tha po të premten se Britania planifikon të rihapë ambasadën e saj në kryeqytetin ukrainas të Kievit javën e ardhshme.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close