Kushi: Në shtator tekstet shkollore të rishikuara nga klasa I-XII

ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha sot se tekstet e shkollore të rishikuara nga klasa I deri në të XII në të gjithë sistemin tonë parauniversitar janë gati në shtator.

Gjatë një takimi me drejtues të institucioneve arsimore nga gjithë Shqipëria, duke u ndalur tek disa ndryshime që kanë sjellë risi dhe përmirësime në aspekte të ndryshme të procesit mësimor, Kushi tha se “gjatë muajve të fundit është bërë një punë intensive e drejtuar nga Agjencia për Sigurimin e Cilësisë, për të rishikuar të gjitha tekstet shkollore që nga klasa e parë deri në 12 në të gjithë sistemin tonë parauniversitar”.

“Në grupet e punës janë përfshire drejtuesit e rrjeteve profesionale, por edhe mësues me përvojë, ekspertë të Ministrisë së Arsimit, dhe tashmë kemi rezultate. Grupi i punës solli propozimet në ministri, u ftuan shtëpitë botuese të njihen me sugjerimet apo vërejtjet për të ndryshuar tekstet dhe së fundi shtëpitë botuese kanë sjellë tekstet e rishikuara që do të jenë gati në shtator për vitin e ardhshëm shkollor”, nënvizoi Kushi.

Ministrja Kushi u shpreh se “reforma kurrikulare që ndërmorëm në 2014 ka qenë shumë e rëndësishme për kalimin nga kurrikula me objektiva në kurrikula me kompetenca, e cila u shoqërua edhe me reformimin e të gjitha teksteve shkollore”.

Sipas saj, është bërë një punë e jashtëzakonshme.

“Por pavarësisht pjesëmarrjes në këtë proces të specialistëve të Ministrisë së Arsimit, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë, arsimit parauniversitar, mësuesve, drejtuesve të institucioneve tona, përsëri në tekstet tona ka pasur problematika, pasaktësi ose aspekte të papërshtatshme”, tha Kushi.

Ne, vijoi Kushi, e dimë sa e rëndësishme është që tekstet shkollore të përmirësohen në mënyrë të vazhdueshme, pasi është një proces dinamik, pasi si kurrikulat, edhe tekstet duhet të pasqyrojnë ndryshimet dhe zhvillimet që ndodhin në gjithë mjedisin ekonomik, social, shoqëror etj.

Ministrja Kushi bëri të ditur se “po punojmë edhe për abetaren e përbashkët me Kosovën, dhe këtu dua të falënderoj shumë grupin e punës, anëtarët e komisionit të përbashkët, të Shqipërisë e Kosovës. Po punojnë shumë intensivisht që në shtator vogëlushët e klasave të para në Shqipëri, Kosovë dhe në diasporë të kenë në duar jo thjesht një abetare të re, por një abetare të re cilësore, unike të përbashkët që reflekton të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur qoftë në kurrikul por edhe në mjedisin, social, shoqëror, kulturor etj.”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close