Vazet manipulative

Fatkeqësisht, “ligjërimi fetar” nga hoxhallarët po përdoret për të prekur emocionet, ndjeshmërinë e besimtarit, po e nënçmojnë intelegjencën e tij! Hoxhallarët ndër ne kanë nisur të bëjnë gara se kush do të qajë më shumë gjatë “ligjeratës fetare”, apo kush do të shkaktojë të qara në mesin e xhematit dhe, natyrisht, tërë kjo pamje, sy të përlotur e dridhje trupi nga emocionet, të fotografohet e të filmohet. Kjo për të vetmin qëllim që para “punëdhënësve misteriozë” të dëshmohet ndikimi i tyre në masë

Shkruan Afrim Tahiri

Ligjeratë do të thotë një fjalim shkencor, politik, ideologjik, fetar, që mbahet para një auditori! Ligjerata duhet të jetë e zgjedhur, mirë e përpunuar, mund të jetë përkujtuse por edhe aktuale; ligjerata nuk guxon të jetë e mërzitshme, e bajatshme, në vetëvete e përsëritshme, monotone; ligjeratat që prekin aktualitetin gjithmonë tërheqin vëmendjen e auditorit, e shtojnë përqëndrimin e tij, sepse sjellin informacione të reja, shprehin përpjekje, forma, mënyra shkencore e praktike si të tejkalohen problemet.
Një prej vendeve ku më së shumti mbahen ligjeratat është xhamia! Në gjuhën fetare ligjeratat quhen vaze! Ato, të ligjeruara gati njëkohësisht prej qindra teologëve, ndiqen nga mijëra e mijëra besimtarë! Është krijuar një traditë që ligjeratat fetare, vazet, të jenë më të shpeshta, më të sistemuara e më të tipizuara sidomos gjatë Muajit të Ramazanit!
Po çka dëgjojnë xhematet tona gjatë ligjërimit të hoxhallarëve të ndryshëm! A ka Bashkësia Fetare Islame një udhëzues, një program vjetor, me tema e nëntema të caktuara që janë të domosdoshme të ligjërohen e që janë në të njëjtën korrelacion me nevojat e auditorit, por edhe me problemet bashkëkohore që kërkojnë mbarështrim!
Fatkeqësisht, “ligjërimi fetar” po përdoret për të prekur emocionet, ndjeshmërinë e besimtarit dhe nuk mëton për ta ngritur vetëdijen fetare e shkencore të tij, konform rrjedhave bashkëkohore. Hoxhallarët ndër ne kanë nisur të bëjnë gara se kush do të qajë më shumë gjatë ligjeratës fetare, apo kush do të shkaktojë të qara në mesin e xhematit dhe, natyrisht, tërë kjo pamje, sy të përlotur e trup duke u dridhur nga emocionet e papërmbajtura, të fotografohet e të filmohet. Kjo për të vetmin qëllim që para “punëdhënësve misteriozë” të dëshmohet ndikimi i tyre në masë! Të shkaktuarit e përlotjes dhe të vajtimit por edhe të euforisë gjatë një ligjerate, ky po që është ndikim!
Hoxhallarët tanë po i “spiunojnë” famijet tona që mund të kenë probleme të ndryshme njerëzore! Nuk rregullohet mardhënia e vjehrrës me nusen, nëse ky problem ngritet në motiv ligjërimi në xhami! Kjo është përfolje e problemeve familjare që mund t’i ketë çdo kush! Ky tip i ligjeratës pa dyshim që është krejtësisht i kotë dhe pa kurrfarë rëndësie!
Dramatizimi i stisur i raporteve vjehërr-nuse, me një zë vajtues prej një aktori patetik, pa dyshim që do të prekë emocionalisht persona nga auditori që ndjek ligjeratë të tillë! Apo, një hoxhë e paska parë se si djali e paska rrahur nënën, tjetri e paska parë një nënë të dëbuar nga shtëpia, dhe, tani, këto probleme ngritet në nivel të ligjeratës edukative duke “e mësuar” xhematin se si nuk duhet të rihet nëna! A nuk është ky një idioizëm i llojit të vet i përdorur nga “hoxha” me qëllim që të shkaktojë përlotje që do të futen në kuadrin filmik! Është shumë interesante se si këto dukuri tepër të shëmtuara i vërejnë vetëm “hoxhallarët” dhe nuk i vëren polici, punëtori social, familjarët, fqiu, fëmijët e tjerë të nënës etj.
Hoxhallarët tanë kurrë nuk kanë qenë në Rusi e Ukrainë, kurrë nuk kanë lexuar një faqe mbi atë se si u formua Rusia si shtet, si u formua pastaj Bashkimi Sovjetik, kush janë ukrainezët, ndërsa, i japin vetes të drejtë ta lodhin xhematin duke ndarë “fetva”, se kush është në të drejtë në këtë luftë të tmerrshme, kush duhet të fitojë e kush duhet të pësojë, kush ka qenë me myslimanët e kush ka qenë kundër myslimanëve, kush është me shqiptarë e kush është kundër shqiptarëve. Në mënyrë të pashpjegueshme marin rolin e propagandës proruse, sepse me ta qenka një “tog çeçenësh myslimanë” pa e ditur fare se Ukraina ka qenë me qindra vite strehë dhe shtet edhe i nja katër mij shqiptarëve.
A keni dëgjuar ndonjë hoxhë deri më sot që ka mbajtur ligjeratë mbi problemet e dukshme që i ka në “prag të derës” së vet, mbi dezorganizimin total të Institucionit të Bashkësisë Fetare Islame? A keni dëgjuar ndonjë vaz nga “hoxhallarët” tanë lidhur me keqpërdorimin dhe vjedhjen e fitrit, të zeqatit, të anëtarësisë që ua bën “paria” e tyre? A ka folur deri më sot ndonjë hoxhë para xhematit mbi shkeljet e përditshme kushtetuese që i bën “paria” e tij? A ka ligjeruar dikush mbi formën, mënyrën dhe metodën e instalimit të “të parit” nga pushteti maqedonas në krye të BFI-së!
A e dinë hoxhallarët tanë se vakëfi është lënë dhe që duhet të shtohet me qëllim të zhvillimit dhe avansimit të jetës fetare, e cila varet kryekëput nga angazhimi i hoxhallarëve, pra, a e dinë ata se vakëfi duhet të gjenerojë të ardhura për mirëmbajtje të objekteve fetare, për paga mujore dhe për kontribute pensiono-shëndetësor për vetë hoxhallarët! Së këndejmi, jemi dëshmitarë të dhjetra skandaleve rreth vakëfit, të abuzimeve me letra në vlerë, të keqpërdorimit të vakëfit për interesa meskine, por, jemi edhe dëshmitarë të hoxhallarëve që kurrë nuk i prekin këto çështje që i tangojnë vetë problemet jetësore të tyre! A ka folur deri më sot ndonjë hoxhë rreth “Ibni Pajkos”, “minieres” së vakëfit të Myftinisë së Shkupit; a ka folur ndonjë hoxhë për dallaveret që bëhen me subjektet e papërgjegjshme politike në dëm të vakëfit; a është dëgjuar ndonjëherë ndonjë hoxhë që ka shprehur brengë për vakëfin që deri më vitin 2018 ishte seli e Myftinisë së Shkupit, si hoqi dorë Myftinia e Shkupit nga ajo seli me qëllim që të futet qiraxhi në BFI! Çka u bë me selinë, kujt iu fal, kujt iu la “vakëf”! Cili hoxhë ligjëroi mbi manipulmin e “parisë” me letrat në vlerë, formë e denacionalzimit të vakëfit! Çka po ndodhë me atë kompensim, ku po tretet kur dihet se ato, islamikisht duhet të harxhohen në blerje dhe zëvendësim të vakëfit të uzurpuar si “interes nacional e shtetëror”! A nuk po ruhet interesi i huaj në dëm të vakfit, në dëm të jetës më dinjitoze të vetë hoxhallarëve! A nuk është kjo çështje që duhet të ngritet përmes ligjeratave të hoxhallarëve?! Asnjë ligjeratë e hoxhallarëve mbi “teologët e fallcifikuar”, mbi “kuadrin deficitar” që arrinë deri te titujt akademik duke blerë diploma e disertacione, ndërkohë që me dhjetra të tjer bredhin rrugëve ndonëse kanë kryer nëpër universitete prestigjioze të botës arabe por edhe në Fakultetin tonë!
Pa dyshim, të gjitha këto tema për ligjërim mund të jenë të “sanskionueshme”, sepse mund të jenë jashtë “programit ligjërues” të hartuar (!) nga BFI! Megjithatë, për çdo hoxhë do të duhej të ishin miliona herë më të rëndësishme, islamikisht më të qëndrueshme, se sa të merremi me problemet e nuses me vjehrrën, apo të imgjinojmë ”ngjarje” të parapara nëpër skenare të huaja, ose edhe ta “ngrisim veten” në nivel akademik duke ligjëruar mbi problemet e Rusisë dhe Ukrainës.
Ta ruajmë dhe ta riparojmë gjithmonë Shtëpinë tonë dhe mos të na interesojë oborri i huaj! Përzgjedhja e temave për ligjërim me qëllim të ruajtjes dhe renovimit të Shtëpisë sonë, është përkushtim, është angazhim intelektual që shpreh me devotshmëri përkujdesin ndaj parimeve islame, është respekt ndaj auditorit që është shumë më në nivel se sa mendojnë “hoxhallarët” tanë!

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close