Kryeministri Kurti: Kosova mbetet partnere e besueshme e SHBA-së

Kryeministri Albin Kurti pas takimit me ndihmës sekretaren e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Dr. Karen Donfried ka thënë se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë fuqishëm përkrah botës demokratike.

“Për SHBA-në, Kosova do të mbetet partner i besueshëm”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se gjithmonë është kënaqësi të presë dhe të takohet me përfaqësues të SHBA-së.

“Javën e kaluar patëm për vizitë një delegacion nga senati amerikanë, me të cilët diskutuam për shumë gjëra. Edhe sot diskutuam për sukseset e Kosovës dhe për rolin e madh të SHBA-së për demokratizimin e vendit tonë dhe për bashkëpunimin në shumë fusha, veçmas në atë të sigurisë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka thënë se dje janë bërë dy muaj nga invazioni i Rusisë në Ukrainë dhe lufta atje po zgjatë më shumë se sa e ka menduar Federata ruse. Por, ai ka thënë se Kosova duhet të qëndrojë e vëmendshme për rreziqet që mund t’i sjellë rajonit dëshprimi i Kremlinit nga lufta në Ukrainë.

Kurti ka thënë se është shqetësuese që në Ballkanin Perëndimor ka vende që nuk janë rreshtuar përkrah botës demokratike në sanksionimin e Rusisë, siç është Serbia.

“Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë humanitare dhe demokratike. Orientim perëndimor dhe aleancë euro-atlantike. Përpos sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5000 refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase, znj. Lyudmila Makey e do të mirëpresim edhe të tjerë. Por, jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për t’u distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm, por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë antidemokratike. Orientim joperëndimor edhe aleancë autokratësh”, ka nënvizuar Kurti.

Ai ka thënë se që të ruhet paqja dhe siguria afatgjate është i domosodoshëm integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, veçmas i shteteve që janë përkrah botës demokratike.

“Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO, i shteteve të cilët janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Ruse. Ndërkohë, Republika e Kosovës duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe të bëhemi pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe të NATO-s. Për këtë po përgatitemi, por natyrisht edhe kërkojmë ndihmën e miqve e partnerëve tanë”, është shprehur tutje Kurti në konferencën pas takimit me Donfried.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close