Gjenerali Howard shpreh vlerësimin për të arriturat e FSK-së
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, pritën sot në takime të ndara Zëvendës komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjenerallejtënant Michael L. Howard.
“Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari shprehën kënaqësinë për vizitën e Gjeneral Howard, duke e njoftuar atë me të arriturat e deritashme dhe proceset zhvillimore të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe objektivat për të ardhmen”, njofton Zyrtare për media e Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë këtij takimi ata kanë theksuar rëndësinë e madhe të mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së, përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe Ushtrisë Amerikane, si dhe bashkëpunimin dhe sinkronizimin e ngushtë me ta.
“Nga ana e tij, Gjeneral Howard, shprehu vlerësimin e lartë për të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së dhe siguroi ata për mbështetjen në proceset zhvillimore edhe në të ardhmen”, thuhet tutje në këtë njoftim.
Pos tjerash, në këto takime u diskutua edhe për zhvillimet në kontekstin e ri gjeopolitik global, si dhe reflektimin e tyre në mjedisin e sigurisë rajonale.
“Ministri Mehaj dhe Gjeneral Jashari i ritheksuan qëndrimin Gjeneralit Howard se Republika e Kosovës qëndron fuqishëm përkrahë SHBA-së dhe aleatëve të saj, në rrugën e integrimeve euroatlantike si dhe në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal, kontinental dhe global”, thuhet në përfundim të këtij njoftimi.
Comments are closed.