Shënohet Dita e të Zhdukurve të Kosovës
Në Kosovë, sot shënohet Dita e të Pagjeturve, ditë kjo e cila simbolizon 27 prillin e vitit 1999, kur në fshatin Meje të Gjakovës, ka ndodhur masakra e madhe kundrejt civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare policore dhe ushtarake serbe. Atë ditë, forcat serbe kishin ndarë 376 civilë shqiptarë nga kolonat e të përndjekurve nga shtëpitë e tyre, të cilët më pas ishin zhdukur pa gjurmë.
Në shënim të kësaj dite do të ketë disa aktivitete, të cilat janë organizuara nga institucionet e Kosovës.
Për shënimin e kësaj dite, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizata të tjera, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës, vendosin kurora me lule para përmendores së personave të zhdukur.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bën homazhe pranë Obeliskut të të pagjeturve, afër ndërtesës së Kuvendit, si dhe në Mejë të Gjakovës.
Edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë bën homazhe me rastin e 23-vjetorit të Masakrës së Mejës, tek Kompleksi Memorial “Lëndina e pikëllimit”, në Mejë të Gjakovës.
Në Ditën e Personave të Pagjetur të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje organizon një aktivitet për mbjelljes së fidanëve në kujtim dhe nderim të 1617 personave të pagjetur nga lufta e fundit.
Comments are closed.