Takimi i tretë, Kurti e Vuçiq në Berlin

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, megjithatë do të shtrëngojnë duart në Berlin.

Paralajmërimi i të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, për mbajtjen e një takimi mes kryeministrit kosovar Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, do të realizohet në Berlin.

Paralajmërimin për takim të nivelit të lartë, Lajçak e bëri një javë më parë gjatë vizitës së tij të papritur në Beograd.

“Sot në Beograd, pata një diskutim të thellë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në lidhje me çështjet që janë aktualisht në agjendë dhe për të ardhmen e dialogut, përfshirë takimin e ardhshëm të nivelit të lartë”, deklaroi Lajçak me 20 prill.

E tashmë ky takim është konfirmuar se do të ndodhë javën tjetër. Të mërkurën e 4 majit, Kancelari gjerman, Olaf Scholz, nuk do të ketë shumë takime.

Në fakt, atë ditë ai ka tri të tilla, por për një nga liderët më të mëdhenj të Evropës, pasja e vetëm kaq takimeve, mund të mos duket shumë. Megjithatë, zyrtarët që do të takojë, bartin me vete shumë probleme të rajonit prej nga shkojnë. Scholz do të presë në selinë e tij në Berlin, në takime të veçanta,  kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe më pas, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Temat në takimet e veçanta, bazuar në njoftimin zyrtar të Kancelarisë Federale do të jenë dialogu Kosovë-Serbi, koordinimi i qëndrimit ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe. Këtë e bëri të ditur zëvendës-zëdhënësi i qeverisë gjermane, Wolfgang Büchner, të premten, në Berlin, në kuadër të konferencës së rregullt të qeverisë gjermane për media.

Sidoqoftë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Berlin, po atë mbrëmje, në prani të ndërmjetësuesit të BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak, i cili shkon në Berlin me ftesë të kancelarit Scholz.

Ky do të jetë takimi i tretë mes Kurtit e Vuçiq. I fundit ishte mbajtur në korrik të vitit të kaluar në Bruksel me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evorpian, Josep Borrel dhe të dërguarit të posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak, raporton RTKlive.com. Edhe ky takim kishte përfunduar pa ndonjë dakordim.

Takimi i parë Kurti-Vuçiq, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kishte kaluar me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Një prej temave më të përfolura nga pala serbe është krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Kurti ka deklaruar se “nuk do të ketë asociacion njëetnik” dhe nuk do të lejojë “përsëritjen e skenarit të Bosnjë- Hercegovinës”.

Në vend të asociacionit, ai ka propozuar në takimin e kaluar krijimin e Këshillit Kombëtar për serbët e Kosovës, ngjashëm siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close