SHQIPËRIA, TOKA E PREMTUAR E ARBËRESHËVE

“Moj e bukura More, si të lashë e më s’të pashë” , këto nuk janë thjesht, vargje për arbëreshët e Italisë. Për ta, kjo poezi që më pas u shndërrua edhe në këngë është sinonim i jetës së tyre në mërgim – Itali. Për autorin Mario Caliva, këto janë vargjet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës. Për ne, kjo është e vërteta. Nuk është diçka mitike, apo filozofike, por një gjë që ne e rrnojmë gjithmonë tek jeta e përditshme
Ruajtja e traditave dhe kulturës për të dhe të tjerë arbëreshë të Sicilisë, është diçka që buron nga brenda. “Lind nga shpirti dhe është diçka që na dha mundësinë, të ruajmë gjuhën dhe identitetin. Ne arbëreshët edhe faktet tregojnë që nuk e kemi harruar kurrë identitetin dhe tokën që lamë, kur erdhëm këtu në Sicili të Italisë”.
Për Calivën, që flet një shqipe të bukur e të pastër, ruajtja e traditës, nuk sigurohet vetëm me ligje, por duhet patjetër, të ketë vullnet.
“Shteti italian na ndihmon shumë, sepse ekzistojnë ligje. Ligji 482/99 thotë që, arbëreshët kanë të drejtë edhe financimi nga shteti italian, për ta ruajtur gjuhën. Gjëja e parë është dashuria që ne kemi për gjuhën, sepse mund të ekzistojnë të gjitha ligjet, por nëse njerëzit nuk e kanë në zemër, nuk kanë rëndësi ligjet”.
Për arbëreshët, të cilët, u larguan nga Shqipëria pesë shekuj më parë, Shqipëria është një ëndërr. Caliva, ka një shprehje të veçantë, për ta përshkruar dashurinë që kanë arbëreshët, për tokën që u detyruan ta lënë shekuj më parë.
“Për ne, Shqipëria është toka e premtuar”. Në këtë tokë, që për të është “e premtuar”, ai dhe arbëreshët e tjerë, shkojnë për vizitë çdoherë.
“E kemi këtë lidhje me zemër dhe me shpirt, dhe shumë shpesh shkojmë në Shqipëri, për t’i takuar vëllezërit dhe motrat shqiptare, dhe arbëreshët që jetojnë në Shqipëri. Ne, me Shqipërinë kemi lidhje edhe nga pikëpamje artistike, jo vetëm miqësore, por edhe politike dhe sociale”.
Për të, lidhja mes shqiptarëve dhe arbëreshëve të Italisë, është e natyrshme dhe të dy palët, kanë nevojë për njëra–tjetrën.
“Arbëreshët kanë nevojë për Shqipërinë dhe shqiptarët, kanë nevojë për arbëreshët. Në fund të fundit, jemi një gjë. Një komb, një gjuhë dhe një besë. Besa jonë është shqiptaria”.
Mario, në një intervistë për GERMIN, të zhvilluar më 24 prill tek Hora e Arbëreshëve, theksoi që duhet të ekzistojë edhe dialogu ndërkulturor dhe një respekt edhe për kulturat e tjera.
Mario është shkrimtar dhe dramaturg. Ai është diplomuar për “Dramaturgji dhe skenar” pranë Akademisë Nacionale të Dramës në Romë. Po ashtu, ka përfunduar doktoratën për Ekonomi dhe Financa, si dhe mban master në degën e Artit skenik, me temën e diplomës për Teatrin Arbëresh.
/marrë nga HEJZA

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close