Mbahet Kuvendi Kombëtar i PD-së, zgjedhjet për kryetarin e ri më 22 maj

ATSH/ Partia Demokratike mblodhi sot Kuvendin Kombëtar, ku u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD, do të mbahen më 22 maj, dhe deri në këtë datë partia do të drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit.

Gjithashtu Kuvendi Kombëtar shpalli vakancën për kreun e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, duke shkarkuar nga detyra kreun aktual të grupit, Enkelejd Alibeajn.

Me propozimin e Komisionit të Rithemelimit si dhe të një grupi deputetësh të PDSH, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, vendosi konstatimin e vakancës së pozicionit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për shkak të mungesës së nënkryetarëve të zgjedhur të Partisë.

Kuvendi ngarkoi Këshillin Kombëtar të partisë për zgjedhjen dhe caktimin, së bashku me nënkryetarët, edhe të kryetarit të grupit parlamentar të PDSH.

Pasi ka reflektuar për veprimtarinë dhe vendimmarrjen politike gjatë dy mandateve në opozitë, Partia Demokratike përmes një rezolute të miratuar në punimet e sotme të Kuvendit Kombëtar angazhohet t’u japë fund praktikave jodemokratike dhe qasjeve të dështuara politike.

Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, i është bashkuar sot punimeve të kuvendit të Partisë Demokratike.

Në fjalën e saj, Topalli u shpreh e bindur për fitore në zgjedhjet e ardhshme.

“Herën e fundit që kam qenë në kuvend të partisë tonë, ka qenë pas zgjedhjeve të 2013. Ishim mësuar të ishim pjesë e një partie që fitonte zgjedhjet dhe sa herë PD fitonte, ne ishim në gjendje të bënim ndryshime për mirë. Kemi bërë edhe gabime dhe sot besoj këtu biem dakord të gjithë. Por ama në pushtet qeverisnim, në opozitë ishim të fortë dhe të vërtetë. Më lejoni të ndalem këtu tek opozita jonë. Nuk e mendonim se mund të korruptoheshe në opozitë, nuk vinim gjoba, nuk shisnim misionin e opozitarizmit, nuk këmbenim me zarfe vendet e deputetëve, e nuk digjnim mandate. Nuk i iknim përgjegjësive dhe nuk imagjinonim te hidhnim gaz ndaj njerëzve tanë. Ishim mësuar të bënim beteja për të vërtetat tona, pavarësisht sa mund të kushtonte. Pas 2013 tatëpjeta e PD mori vrapin. Opozita e PD nuk ka qenë kurrë e lehtë. Por ju jeni po sa unë të ndërgjegjshëm që këtë opozitë nuk e meritonim. Ndaj lëvizjet para Foltores ishin gjëja më e pastër dhe shkundja nga gjumi fitimprurës i Lulzimit. Lëvizja ishte tharmi. Foltorja ishte gjëja më e bukur që mund të ndodhte për të zgjuar strukturat. Kuvendi i 11 Dhjetorit ishte hapi i parë i rëndësishëm për t’u ndarë nga pazaret. Kuvendi i sotëm është një tjetër gur kilometrik në betejën për të gjetur veten. Ne e dimë, që beteja që kemi përpara nesh do të jetë e fortë. Dhe… nuk është hera e parë. Ne e dimë se rimëkëmbja është më e vështirë se fillimi. Por, nga eksperienca mbaj mend se pavarësisht sa pengesa ke para, asgjë nuk ndalon shumicën e qytetarëve që duan ndryshim”, deklaroi Topalli.

Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend foli për rithemelimin e Partisë Demokratike, sepse tha ai “kulti ynë është vota e lirë”. Berisha u shpreh se “sot jemi një opozitë e vërtetë, në këmbë dhe të gatshëm për çdo betejë“.

Sipas tij, në këtë Kuvend do vendoset jo vetëm për fatet e PD-së, por edhe të pluralizmit.

“Ne mblidhemi sot krenarë, sepse pas një eksperience unike në historinë e një force politike në Europë, patëm një ditëlindje të dytë. Më 11 dhjetor të vitit 2021, me një Kuvend historik, rilindi sërish PD-ja, kjo parti nuk vdes kurrë. Ajo jeton dhe do të jetojë në idealet më fisnike të shqiptarëve. Ju u bashkuat dhe ne rithemeluam PD-në, pasi donim që kjo parti, ashtu siç lindi, të mbetej avokate e pamposhtur e vlerave më të arrira konservatore. Ne u rithemeluam sepse ne donim të vendosur të mbrojmë interesin kombëtar të shqiptarëve. Ne u rithemeluam, sepse kulti ynë është vota e lirë. Ne u rithemeluam të vendosur, se për demokratët shqiptarë do të vendosin vetëm ata me votën e tyre të lirë,” tha Berisha.

Duke folur për shpalljen “non grata” nga SHBA, Berisha ripërsëriti se vendimi erdhi pas lobimit nga Xhorxh Soros dhe se për të nuk kishte asnjë provë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close