Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës
Deputeti i Bundestagut, Knut Abraham në profilin e tij në Twitter e ka publikuar një përgjigje të Qeverisë gjermane sa i përket çështjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
Deputeti gjerman i ka bërë pyetje Qeverisë së Gjermanisë nëse do ta mbështeste një aplikim të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe përgjigja që ka marrë ka qenë pozitive për Kosovën.
“Përgjigja e qeverisë gjermane në pyetjen time rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë inkurajuese. Tani Gjermania duhet të mbështesë në mënyrë proaktive aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Politikanët evropianë nga fraksione të ndryshme e mbështesin këtë”, ka shkruar Abraham.
Ndërkaq, në përgjigjen e Qeverisë së Gjermanisë, të cilën e ka publikuar Abraham thuhet se “Qeveria Federale mbështet anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshill të Evropës. Është e rëndësishme të qëndrojmë në koordinim të ngushtë me partnerët tanë në Bashkim Evropian dhe në Këshill të Evropës”.
Institucionet e Kosovës kohët e fundit kanë nisur të punojnë me këmbëngulje për anëtarësim në mekanizmat evropianë, teksa procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës tashmë duket më i lehtë, duke pasur parasysh përjashtimin e Rusisë.
Comments are closed.