Michael Brand: Gjermania mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës

Kosova ka merituar prej vitesh liberalizmin e vizave prandaj vendimi për vizat nuk mund të shtyhet por, duhet që BE të dërgojë sinjale të qarta se kjo do të ndodhë këtë vit.

Kështu thotë në një intervistë ekskluzive për Radio Kosovën deputeti gjerman, Mihael Brand, nga radhët e fraksionit  CDU në Bundestagun gjerman. Ai thekson se Qeveria e re në Prishtinë ka bërë shumë përparime në luftën kundër korrupsionit, kurse  në politiken e jashtme janë shënuar rezultate në përmirësimin e imazhit të Kosovës në BE dhe Gjermani. Brand, thekson se asociacioni me kompetenca ekzekutive për serbë nuk është alternativë. Këtë më së miri e dëshmon Bosnjë e Hercegovina me Republikën Serbe, ku po bëhen përpjekje për shkatërrimin e një shteti me mbështetjen e idiotëve si Dodik, Vuçiq dhe Putin. Kosova sot është një shtet i forcuar, me struktura të konsoliduara dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. As ne në Gjermani nuk lejojmë një gjë të tillë, ka theksuar mes tjerash deputeti gjerman, Michael Brand, zëdhënës për Çështjen e të Drejtave Njerëzore dhe Ndihmave Humanitare  në Grupin Parlamentar CDU/CSU në Bundestagun gjerman.

Radio Kosova: Në takimin që u zhvillua në Berlin ndërmjet kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe kryeministrit Albin Kurti, u tha se anëtarësimi i Kosovës në BE është një perspektivë realiste. Sa realiste mund të jetë kjo perspektivë, për sa kohë Kosova nuk ka liberalizim të vizave?

Michael Brand: Kosova e ka vendin e saj në BE. Për këtë duhet punuar ende, por takimi në Berlin ishte shumë i rëndësishëm dhe rezultatet për këtë takim nuk është se pikën nga qielli. Në Gjermani kemi parë se  qeveria e re në Prishtinë ka bërë shumë përparime, siç është lufta kundër korrupsionit, investimet e reja, realizimi i premtimeve, etj., pastaj puna shumë profesionale e ministres së Jashtme, e cila me punën e saj ka rritur rejtingun e Kosovës në Gjermani dhe Bashkimin Evropian në këta dymbëdhjetë muajt e fundit. Për më tepër, Kosova ka marrë një rrugë të mirë të zhvillimit dhe ajo që unë mund të them si një njeri që për shumë vite udhëtoj nëpër Kosovë dhe e vizitoj shpesh Kosovën, pra si një njeri që ka miq këtu, kontakte dhe lidhje me politikanë këtu, mund të them se Kosova po përjeton një ndryshim shumë optimist, më pozitivin që nga vitit 1999. Prandaj, është shumë me rëndësi që BE-ja të njohë meritat për punën që po bën kjo qeveri. Kjo do të thotë se Kosova ka nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe hapi i radhës duhet të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe që Kosova të marrë urgjentisht liberalizmin e vizave. Kosova nuk guxon të mbetet një ishull i izoluar, por do të jetë një shtet i konsoliduar në Evropë. Prandaj, është shumë më rëndësi që në ditët dhe muajt në vazhdim, premtimet që Bashkimi Evropian i ka bërë, duhet t’i mbajë. Tani kemi një moment të ri, pra, ka ardhur momenti që Gjermania dhe Bashkimi Evropian të shkojnë një hap më tej në raport me Kosovën.

Radio Kosova: Sa realiste janë gjasat që Kosova të marrë këtë vit liberalizmin e vizave?

Michael Brand: Nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë, që Kosova nuk ka liberalizim vizash deri më tani, sepse të gjitha kushtet e kërkuara, ka kohë që Kosova i ka plotësuar. Në fakt, të gjithë e dimë, që brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian ka bllokada, por tani pas zgjedhjeve presidenciale në Francë, pas fitores së Makronit, shpresoj se do të ketë një lëvizje pozitive dhe sipas mendimit tim, liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit. Gjithçka tjetër do të ishte e pakuptueshme, sepse tan jemi në një situatë kur po jetojmë momente të cilat ne në Gjermani i cilësojmë si kthesa historike. Që nga agresioni i Putinit kundër Ukrainës, në Beograd po shohim një qëndrim të pandryshuar për vite të presidentit të Serbisë, i cili edhe aktualisht po vazhdon të luajë me zjarrin. Mirë, kjo nuk mund të vazhdojë edhe më tej kështu. Kosova ka merituar prej vitesh liberalizmin e vizave prandaj, vendimi për vizat nuk mund të shtyhet për vitin tjetër por duhet që Bashkimi Evropian të dërgojë sinjale të qarta se kjo do të ndodhë këtë vit. Ne kemi respekt për njerëzit këtu dhe liberalizimi i vizave do të ishte një impuls i vërtetë në raportet ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës. Ne, në Bundestag, do të angazhohemi seriozisht dhe do të ushtrojmë ndikimin tonë te Qeveria gjermane për heqjen e vizave, sepse tani është koha të kalohet nga fjalët në vepra.

Radio Kosova: Në takimet në Berlin me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë, kancelari Olaf Scholz  tha se synon ringjalljen e Procesit të Berlinit.  Çfarë do të thotë kjo për rolin e Gjermanisë?

Michael Brand: Personalisht angazhohem për forcimin e procesit të Berlinit dhe dua ta potencoj një gjë të rëndësishme. Po përjetojmë një kohë kthesash të mëdha dhe duhet të mos jemi më naivë. Ne po shohim një dallim të madh mes qeverisë kosovare dhe qeverisë së Serbisë për sa i përket bashkëpunimit rajonal. Pas agresionit rus kundër Ukrainës, Kosova ka vendosur sanksione kundër Putinit, ashtu siç ka vepruar Bashkimi Evropian dhe bota demokratike. Beogradi me presidentin Vuçiq e ka bërë të kundërtën, pra nuk iu është bashkuar sanksioneve. Ne në Gjerman dhe vendet e tjera të BE-së i kemi ndaluar të gjitha fluturimet drejt Rusisë. Po çfarë ka bërë Beogradi?! I ka dyfishuar fluturimet ajrore drejt Moskës dhe Shën Petersburgut. Prandaj, nuk guxojmë të kemi dy standarde: të tjera për Kosovën dhe të tjera për Serbinë. Presidentit nacionalist serb duhet t’ia shtrojmë pyetjen: Në cilën anë jeni ju?! Jeni në anën e Bashkimit Evropian me vlera e lirisë, apo jeni në anën e Putinit dhe Kinës?!  Për më tepër, po jetojmë në një kohë kthesash historike, kur miqtë duhet të mbështetën, ndërsa ata që luajnë me nacionalizmin zjarrvënës dhe nuk janë në anën e lirisë, atyre duhet t’u thuhet qartë se kështu nuk mund të shkoni tutje dhe se dera do të mbyllet për ju. Prandaj, për këtë, Bashkimi Evropian duhet të dërgojë sinjale të qarta në Beograd dhe ta vendosë Serbinë para zgjedhjes: Ju jeni kandidat për anëtarësim në BE, prandaj këto janë kushtet që ju duhet t’i plotësoni. Për dallim nga Qeveria e Serbisë, unë shoh shumë sinjale pozitive, të cilët flasin për një pozicion të qartë dhe të orientuar të Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të lirisë.

Radio Kosova: Serbia, Shqipëria, dhe Maqedonia e Veriut kanë themeluar iniciativën “Ballkani i hapur”. Kosova, ndërkaq, vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në të. Si vlerësoni ju iniciativën “Ballkan i Hapur”?

Michael Brand: Siç ju thashë në takim me kryeministrin Kurti, kancelari Scholz ka konfirmuar se dëshiron të vazhdojë procesin e Berlinit dhe ta forcojë atë. Dhe unë besoj se kjo është njëra prej kornizave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Korniza e dytë është ajo në kuadër të Bashkimit Evropian. Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian, apo çështja e liberalizimit të vizave, nuk është temë që mund të diskutohet brenda iniciativës “Open Ballkan”, por në Bruksel ndërmjet partnerëve brenda mekanizmave të BE-së. Pa dyshim bashkëpunimi rajonal është një pikë e rëndësishme, por ajo duhet të bëhet mes të barabartëve. Personalisht, mendoj se të gjitha çështjet e bashkëpunimit rajonal, duhet të shtrohen brenda procesit të Berlinit dhe instancave të BE-së. Dua të theksoj se procesi i dialogut që po zhvillohet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka një të metë, pasi zoti Lajçak po udhëheq një dialog pak a shumë pa një pikë orientuese dhe pa një definim të synimeve për arritjen e qëllimeve të përcaktuara. Një dialog i tillë nuk çon askund. Konsideroj se është shumë e drejtë që Qeveria e Kosovës ka bërë propozime konkrete për dialogun. Unë e shoh në mënyrë shumë kritike mënyrën se si zoti Lajçak e udhëheq dialogun, ose thënë ndryshe si nuk e udhëheq. Formulim më i mirë ndoshta do të ishte nëse themi se ai po zhvillohet pa pasur një cak për arritjen e tij.

Radio Kosova: Kryeministri Albin Kurti theksoi në Berlin se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, duhet të jetë në qendër të dialogut. Si e shihni ju perspektivën e përfundimit të dialogut Kosovë – Serbi?

Michael Brand: Brenda këtyre ditëve të qëndrimit në Kosovë, kam zhvilluar shumë takime, si me kryeministrin Albin Kurti, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, me zyrtarë të tjerë qeveritarë dhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, OJQ, miq të shumtë këtu në Prishtinë dhe përshtypja ime është se qeveria ka punuar shumë për t’i bindur pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë. Ta njohin Kosovën edhe për shkak të zhvillimeve të fundit gjeostrategjike siç është lufta në Ukrainë, dhe ne nuk e kemi luksin që të kalojnë edhe 20 vite të tjera, që këto pesë vende të BE-së të mos e njohin Kosovën. Kosova sot është një shtet i forcuar, me struktura të konsoliduara dhe ka bërë shumë mirë që nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. As ne në Gjermani nuk lejojmë një gjë të tillë. Pse ta bëjë Kosova?! Siç theksova më herët, Qeveria e Kosovës i ka shpallur luftë korrupsionit dhe kjo do të thotë njëkohësisht krijim i klimës për investime dhe mirëqenie të qytetarëve.

Radio Kosova: Ka kohë që Serbia po insiston për themelimin e asociacionit për komunat serbe me disa kompetenca ekzekutive, por kjo po refuzohet nga pala kosovare me arsyetimin se kjo do të ishte një lloj “republike serbe në Kosovë”?

Michael Brand: Asociacioni me kompetenca ekzekutive nuk është zgjidhje. Një gjë e tillë vetëm e ashpërson problemin. Në një rast të tillë, do të kishim të bënim me njerëz, që do të donin bllokimin e shtetit. Këtë më së miri e shohim në Bosnjë e Hercegovinë me Republikën Serbe, ku po bëhen përpjekje për shkatërrimin e një shteti. Kjo bëhet për më tepër me mbështetjen e idiotëve si Dodik, Vuçiq e deri te Putini. Nëse do të pranonim që në Kosovë të krijohet një republikë serbe, kjo do të ishte shumë e rrezikshme, për më tepër sepse rreziku nga nacionalizmi vitet e kaluara është lënë krejt pas dore në Ballkan. Unë nuk kam harruar për kënd ka punuar zoti Vuçiq dhe propagandën e kujt e ka bërë ai. Ne kemi parë se si është sjellë ai viteve të fundit  në raport me BE-në dhe si është sjellë në raport me Rusinë dhe Kinën. Bashkimi Evropian e ka ndihmuar shumë Serbinë në kohën e pandemisë së COVID-it, kurse presidenti Vuçiq është përkulur para flamurit të Kinës dhe presidentit kinez, Shi. Ndaj gjërave të tilla më nuk duhet të mbyllen sytë. Në Gjermani ajo që po diskutojmë aktualisht është nëse kemi qenë shumë naivë përballë Rusisë, për ballë pushtimit të Krimesë më 2014 dhe agresionit në Ukrainën Lindore dhe për këtë disa personalitet kanë kërkuar falje, mes tyre edhe presidenti i Gjermanisë. Për sa i përket Kosovës dhe Ballkanit më në fund duhet t’i hapim sytë dhe t’i shohim gjërat esëll. Asociacioni me kompetenca ekzekutive, nuk  është alternativë, përkundrazi është një alternativë shumë e rrezikshme për ta ndarë Kosovën, dhe siç e dimë ish kancelarja Merkel, në vitet kur pati përpjekje për ndryshim kufijsh, pati thënë me vendosmërinë më të madhe se nuk guxon të ketë ndryshim kufijsh në Ballkan, pra, as në Bosnjë dhe as në Kosovë, sepse po të fillojë kjo lojë, atëherë do të kishim një situatë shumë të rrezikshme e cila në fund prapë do të çonte drejt një lufte. Duhet të jemi të qartë dhe t’u themi duart larg atyre që duan ndryshim kufijsh dhe ndarjen e Kosovës. Në Mitrovicën veriore kam takuar qytetarë serbë, që duan të jetojnë të qetë, por që keqtrajtohen dhe rrihen nga ultranacionalsitë serbë, që duan të luftojnë shtetin e Kosovës dhe kjo është krejt tjetër gjë.

Radio Kosova:  Zoti Brand, ju keni një lidhje të veçantë me Kosovën. Si e shihni Kosovën nesër?

Michael Brand: Kosova është një vend kaq i mrekullueshëm. Ka probleme, por ato mund të zgjidhen me punë. Unë ka vite të tëra që e vizitoj Kosovën dhe e përjetoj bukurinë e saj. Është një vend mjaft pjellor dhe me një potencial të madh dhe unë si një mik i Kosovës, do të angazhohem me miqtë e mi nga Gjermania, të ndihmojmë ndërtimin e këtij vendi dhe për këtë jam optimist për vitet e ardhshme. Edhe sinjalet nga Berlini, pas takimit ndërmjet kancelarit Scholz dhe kryeministrit Kurti, ishin të mira dhe ne si fraksion opozitar i CDU – CSU në Bundestagun gjerman, do të ushtrojmë ndikimin tonë te Qeveria që të ndihmojë Kosovën, prandaj besojmë se do të ketë edhe shumë gjëra të mira.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close