SHQIPËRINË S’E BËMË DOT

———————————————-
Në librat e Don Mikelit në Stubëll shkruan
se Idriz Seferi lindi në Motin e Madh
të Martirëve të Karadakut,
më 1847
njësoj si në rrëfimet biblike, Hyji Atë
e sprovoi me dëbim nga Toka amë
e Ai, kurrë nuk e humbi besimin në Të
Që nga ai Mot në shenjë
Tokën e Premtuar e kishte ëndërr të përditshme
108 vjet mendja jonë e burgosur
shpirti ynë i tretur
dhe ngjyra gri e atdheut
sa herë na kujtoheshe
a ndokush nën dhëmbë emrin tënd pëshpëriste
ne të vrisnim
kur në shkëmbinj katedralesh
gdhendej fytyra jote
dilnim mendsh fare e sërish të vrisnim
s’durohej mustaku yt
s’durohej shikimi yt
as hapi yt s’durohej
emri yt prej shenjtori t’kallte datën
Ne vetëm gënjejmë e gënjehemi
e bëjmë sikur bij të dritës jemi
dhe tej kënaqemi kur me terrin shëmbëllejmë
Tash që sërish n’Gjilan erdhe
ngjitu Majës së Zezë
e shih Luginën dhe Kumanovën
sa larg na janë degdisur
se Shqipëria pa Ty s’u bëka.
Comments are closed.