Rexhep Selimi: Nuk kam të bëj asgjë me akuzat e prezantuara
Njëri prej ish-krerëve të UÇK-së, njëherit ish- deputet i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi është deklaruar i pafajshëm në aktakuzat e reja që janë paraqitur ndaj tij, në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me pretendimet e prokurorisë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Paraprakisht, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka lexuar pjesën e aktakuzës dhe të drejtat që i takojnë të akuzuarit në bazë të ligjit për DHSK-në. Ai ka sqaruar se procesi i sotëm nuk është gjykim.
Në paraqitjen e tij të parë pas akuzave të reja të prokurorisë kundër tij dhe të ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, Selimi ka thënë se edhe njëherë pohon që nuk ka të bëj asgjë me krimet e as akuzat e pretenduara në këtë aktakuzë.
“Më lejoni të deklarohem i pafajshëm siç edhe në të gjitha pikat e tjera të aktakuzës”, ka thënë Selimi.
Më herët gjatë ditës së sotme, në konferencën dëgjimore, janë paraqitur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi të cilët janë deklaruar të pafajshëm për akuzat e reja.
Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.
Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Që nga nëntori i vitit 2020 ata gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Comments are closed.