KULTURA DHE ARTI URBAN

Urbanizmi është disiplinë që merret me organizimin e planifikuar, me projektimin, me ndërtimin dhe me rregullimi e objekteve ekzistuese në harmoni me arkitekturën e re në kuadër të një lagje, të një vendbanimi, të një qyteti, të një metropoli dhe, tërë kjo, bazuar në parimet artistike-arkitekturale. Sipas statistikave të OKB-së, sot rreth gjashtëdhjetë për qind e popullatës në botë jeton në zonat urbane. Urbanizmi, përveç që merret me rregullimin e qyteteve, merret edhe me zhvillimin e jetës brenda tyre. Në këtë vazhdë komunikimi dhe informimi janë jetike për çdo vendbanim të urbanizuar. Për shkak të jetës dinamike, për shkak të monotonisë informative që vjen deri te qytetari i kyçur brenda, rrugët, rrugicat, parqet, janë bëre vende më të dashura për komunikim dhe informim! Në vendet e urbanizuara as arti nuk dëshiron të rrijë vetëm brenda galerive, shfaqjet teatrale kërkojnë hapësirë në qiell të hapur, reliktet kërkojnë të dalin nga muzeumet, cirku artistik të bredhë trotuareve e parqeve, artistët e vegjël nga kopshtet e parashkollorët, nga ciklet e ulëta parashkollore, por edhe artistët adoleshentë ndjejnë kënaqësi të veçantë kur vizatojnë në mënyrë të organizuar nëpër hapësira publike, rrugë e sheshe, etj. Pra, na paraqitet arti urban! Nuk bëhet fjalë për zhvillimin e jetës kulturore në hapësira të caktuara, për shembull, ekspozita e skulpturave në parqe, apo ndonjë kënd ku shihen dhjetëra piktorë duke pikturuar në telajo, natë e ditë, apo grupet muzikore duke bërë muzikë, individë me kitarë, akrobate që me pika të ndryshme akrobacioni, por edhe artistike, argëtojnë qytetarët etj. Bëhet fjalë për një art “të ri” që prekë sipërfaqet arkitekturale!
Disa interpretime këtë nocion të ri e përkufizojnë si shfaqje të re të çdo forme vizuale që paraqitet brenda qytetit e inspiruar nga arkitektura dhe jeta e rrugës! Në këtë rrafsh, janë të shumta përpjekjet për ta estetizuar hapësirën përmes grafiteve dhe muraleve, ndonëse e tërë kjo bie ndesh me aktet normative të qytetit apo edhe të vetë shtetit. Sado që këto veprime janë “të sanksionuara”, megjithatë shteti nuk ia del t’i kap këta “estetë të rrugës”! Për veprimtari të tjera artistike merren leje të posaçme nga pushteti vendor.
Arti urban tek qytetarët e rëndomtë mund të ketë ndikim pozitiv, por edhe shumë negativ! Në botë ka qytete që identitetin e vet e ruajnë pikërisht përmes artit të rrugës që është legjitim, që përkrahet madje edhe që stimulohet nga pushtetet përkatëse. Është një art që jeton dhe zhvillohet në rrugë. Pra, janë grafitet dhe muralet të cilat i hasim rrugëve (në asfalt, kalldrëme), nëpër muret e godinave, në taraba. Ky lloj arti e shpreh mënyrën e jetesës brenda qytetit, shpreh dhembjen e qytetit, revoltën, krenarinë, personalitetet simbole të kombi, të shtetit, që qytetit, shpreh ngjarje me të cilat solidarizohet qyteti. Bota e njeh me nocionin “Street Art” dhe, ky fenomen, sot trajtohet si lëvizje artistike ndërkombëtare! Artistët e “Street Art”, nuk janë më “anonimë”, ata ftohen nëpër gara, udhëtojnë gjithandej botës, duke i lënë veprat e tyre nëpër mure të qyteteve e metropoleve botëror. Thirren për të ndihmuar me idetë dhe vizionet e tyre, angazhohen nga pushtetet vendore që me talentin e tyre artistik t’i bëjnë estetikisht më të pranueshme ngrehinat që janë jashtë funksionit arkitektural të vendbanimeve të ndryshme. Këtë popullaritet të artistëve të arit urban nuk e kanë edhe artistët e grafiteve, të cilët shpesh herë edhe ndëshkohen, përndiqen, trajtohen si vandalistë, si rebel që e keqpërdorin artin për qëllime “të dobëta”!
Pa dyshim, mund të vërehen edhe mure të shkarravitura me lloj-lloj ngjyrash, duke i mbuluar grafitet vandale që nuk shprehin asgjë tjetër përveçse sharje, ofendime, urrejtje!
I vetmi vend në rajon e më gjerë, që e ka të vdekur artin e rrugës, që e ka “nocion të paimagjinueshëm” kulturën urbane është Republika e Maqedonisë së Veriut! Këtu jo se mungojnë artistë të mirëfilltë të grafitit e të muraleve, por janë të pafuqishëm përpara vandalistëve që muret i përdorin për parulla politike, për sharje e ofendime mbi baza nacionale e fetare, si dhe përpara “pushtetit politik” që muret e mëdha i përdor si “hapësira të shenjta” ku mund të shpaloset ekskluzivisht ndonjë poster gjigant i ndonjë figure politike apo për reklama të firmave të afërta me pushtetet! Në vend të muraleve artistike kemi propagandë politike.
Hapësira me murale bëjnë që njerëzit çdo ditë të shikojnë dhe të binden se arti ekziston, kurse përmes reklamave politike-propagandistike arrihet ndikimi te njerëzit që të binden se akcili politikan jeton dhe, kjo është ajo pamje, ajo estetikë, ajo shpresë, ajo bukuri, ajo harmoni që duhet t’i interesojë qytetarit dhe, jo arti i rrugës, apo kultura urbane, e cila, vendin e ka ekskluzivisht e kyçur brenda institucioneve nacionale! /HEJZA/
(Në foto: Mural në mbështetje të Ukrainës, realizuar nga artisti francez i rrugës, “Emyart”, në Paris, Francë, më 14 mars)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close