Krejt çfarë ndodhi pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Kosova dje edhe zyrtarisht ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës dhe është themeluar më 1949.

Osmani: Demokraci, të drejta të njeriut, sundim i ligjit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Demokraci, të drejta të njeriut, sundim i ligjit, janë tri vlerat mbi të cilat bazohet Këshilli i Evropës. “Kosova është mishërim i këtyre vlerave. Prandaj secili shtet që vërtetë beson dhe punon për këto vlera, do ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”, tha ajo.

Gërvalla: Hapet një kapitull i ri për Kosovën

Ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi se me aplikimin në KE hapet një kapitull i ri për Kosovën. Ajo rikujton se Kosova është vendi më demokratik e më pro evropian në rajon. Prandaj, Gërvalla tha se vendi e meriton të jetë anëtare e KE-së. Ministrja tha se me anëtarësimin e Kosovës në KE, forcohen të drejtat e qytetarëve të Kosovës.

Kurti: Anëtarësimi në KE, vlerë e shtuar dhe mundësi e re për Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se anëtarësimi në Këshillin e Evropës “është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”. Kurti përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”,ka thënë se në mbledhjen e Qeverisë miratuan nismën për anëtarësimin e Republikës sonë në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ndërkaq pak kohë më pas dorëzuam edhe aplikimin për anëtarësim. “Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ku të drejtat dhe liritë e njeriut janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj”, ka shkruar Kurti. Ai thotë se liria e shprehjes dhe medies çdo herë e më shumë po shënon përmirësim. Luftimi i korrupsionit është i pakompromis. Reforma në sundimin e ligjit prioritet.

Konjufca në RTK: Kosova në KE, meritë e të gjitha qeverive

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, në intervistën për “RTK PRIME”, foli për aplikimin zyrtarisht të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE). Konjufca e  vlerëson  pozitiv këtë lëvizje të Kosovës, sa i përket aplikimit të KE. “Aplikimi ka qenë i domosdoshëm. Zhvillimet e fundit që ndodhën me agresionin rus ndaj Ukrainës, krijuan një situatë të favorshme”, tha Konjufca. “Aplikimi është edhe përpjekje e qeverive të kaluara, sepse të gjithë kanë dhënë kontribut për këtë, pa dallime politike. Kemi punuar shumë edhe kur kemi qenë në opozitë. Më kujtohet se për Kosovën ka pasur disponim negativ për ne si Kosovë. Në atë kohë edhe shtetet njohëse na kishin sugjeruar për të mos aplikuar”, tha Konjufca.

BE në dijeni të aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Bashkimi Evropian është në dijeni se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por BE nuk i komenton proceset që janë të lidhura me organizatat tjera, është shprehur zëdhënësi Peter Stano në një përgjigje me shkrim duke reaguar ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare që të nisë rrugëtimin për anëtarësim në organizatën më të vjetër në Evropë. “Ne nuk komentojmë procese të mundshme që kanë të bëjnë me një institucion tjetër e sidomos jo aty ku BE nuk është anëtare”, është shprehur Stano. Për Bashkimin Evropian, dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka rëndësi të veçantë andaj edhe zëdhënësi i këtij institucioni apelon tek palët që të bëjnë maksimumin e tyre për të ecur përpara në këtë proces. “Gjithashtu u bëjmë thirrje atyre që të veprojnë me maturi dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të çojë në tensione. Ne presim që të dyja palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të kontribuojnë në një atmosferë të favorshme për normalizimin e marrëdhënieve të tyre ”, porositi Peter Stano, zëdhënës i BE-së.

Abdixhiku kërkon mbështetjen e EPP-së për anëtarësimin e Kosovës në KE

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është drejtuar me një letër Donald Tusk, Presidentit të Partive Popullore Evropiane, anëtare e së cilës është edhe LDK-ja, me anë të kësaj letre ai, ka kërkuar nga Tusk për mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. “ Abdixhiku gjithashtu ka ofruar mbështetjen e plotë të LDK-së gjatë gjithë këtij procesi dhe është zotuar se do t’i shfrytëzojë të gjitha kanalet komunikuese në këtë drejtim”, thuhet në një njoftim nga LDK-ja. Ndryshe, në fund të muajit maj, EPP mban kongresin e radhës në Rotterdam ku do të marrin pjesë liderë të ndryshëm, me ç’rast kryetari Abdixhiku në fjalën e tij gjatë kongresit do të kërkoj nga të gjitha shtetet anëtare mbështetje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Haradinaj: Aplikimi i Kosovës në KE lajm i mirë për vendin

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka reaguar pas aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se ky është lajm i mirë për vendin. Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Kosova ka marrë notat më të larta në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tash e sa vjet. “Perspektiva evropiane e Kosovës është e pa alternativë. Si vend kemi ecur para drejt përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian dhe kemi marrë notat më të larta në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit tash e sa vjet.Aplikimi sot i Kosovës në Këshillin e Evropës, është lajm i mirë për vendin”, ka shkruar Haradinaj. Sipas tij, është jetike për Kosovën që Bashkimi Evropian t’ia hapë dyert në proceset integruese duke liberalizuar vizat dhe duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit. “Kosova natyrshëm është pjesë e familjes evropiane!”, ka thënë Haradinaj.

Rama: Mbështesim Kosovën për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se integrimi evropian, Ballkani i Hapur, lufta në Ukrainë dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin disa nga çështjet që u diskutuan gjatë takimit që zhvilloi me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Josep Borrell. Rama në një intervistë për Radio Televizionit Shqiptar u shpreh për RTSH se Mali i Zi do t’i bashkohet së shpejti Ballkanit të Hapur ndërsa theksoi se është humbje kohe për ata që ngurojnë t’i bashkohen. Ndër të tjera, kryeministri u pyet nga gazetarja Denada Shkodrani edhe për deklaratat e bëra nga Presidenti serb Aleksandër Vuçiç se Serbia do e rishikojë qëndrimin e saj nëse Kosova do të kërkojë anëtarësimin në Këshillin e Europës. Rama shprehu mbështetjen absolute ndaj Kosovës dhe tha se kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, Shqipëria është 100% krah saj. “Serbia sigurisht është në të drejtën e vet të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, theksoi Rama.

Vuçiq thotë se Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit

Pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ka reaguar Beogradi. Sipas presidentit serb, Prishtina zyrtare ka shkelur Marrëveshjen e Uashingtonit, dhe se Serbia do të jep përgjigjen e vet.

Me kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës është prishur Marrëveshja e Uashingtonit dhe Serbia do të reagojë, ka deklaruar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas aplikimit të Kosovës në KE. Për këtë veprim të Prishtinës zyrtare, Vuçiq ka paralajmëruar se nesër do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, dhe ka pyetur përfaqësuesit ndërkombëtarë pse po e thërrasin Beogradin në bisedime, kur Kosova nuk respekton marrëveshjet e arritura.

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane

Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër evropiane. Kjo organizatë nuk ka lidhje më institucionet e Bashkimit Evropian. Sido që të jetë, shtetet që aspirojnë integrimet evropiane, duhet fillimisht të anëtarësohen në këtë organizatë në mënyrë që të vazhdojnë tutje rrugëtimin evropian.

Ka gjithashtu shtete anëtare të KE të cilat nuk kanë aspirata e as gjasa që të bëhen anëtare të BE-së. Këshilli i Evropës numëron 46 anëtarë. Deri rishtazi edhe Rusia ishte pjesë e kësaj organizate, por u tërhoq duke evituar përjashtimin i cili ishte i pashmangshëm, pas sulmit të saj mbi Ukrainë.

Statusi i organizatës parasheh edhe mundësinë e përjashtimit të shteteve, apo tërheqjes së tyre nëse ato nuk respektojnë vlerat bazë të organizatës, demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.

Jugosllavia në kohën e Sllobodan Millosheviqit ishte përjashtuar gjithashtu për shkak të luftërave që zhvilloheshin në territorin e shtetit të atëhershëm. Secili shtet i ish Jugosllavisë më vonë u anëtarësua si i pavarur në këtë organizatë.

Janë dy kritere kryesore për anëtarësim në Këshill të Evropës: kriteri gjeografik, që nënkupton që shteti në fjalë duhet t’i përket kontinentit evropian, si dhe kriteri politik që nënkupton që shteti anëtar apo aspirant duhet të pranojë vlerat demokratike.

Mundësia që Kosova të pranohet në organizatë u hap me rastin  e largimit të Rusisë nga KE. Pa Rusinë anëtare, dy të tretat e shteteve që bëjnë pjesë në KE janë vendet të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Meqë vendimet në këtë organizatë merren me votë shumicë, janë reale gjasat për anëtarësim./rtklive.com

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close