Janjiq: Vështirë të arrihet kompromis – Lajçak po bën lojën e Mogerinit

Analisti serb, njëherësh themelues i Fondit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç, nuk është optimist se mund të ketë ndonjë rezultat nga bisedimet e sotme. Në një intervistë për Radio Kosovën ai thotë se për momentin nuk do të ketë shanse për sukses përderisa përmendet njohja reciproke. Janjiq tha se Brukseli duhet të ndërpresë këtë metodë të dialogut dhe të mos ngarkojë opinionin me çështje teknike, por në dialog të hapen temat e vërteta politike.

Radio Kosova: Zoti Janjiq, çfarë prisni nga takimi në Bruksel?

Dushan Janjiq: Nuk pres asgjë! Mendoj se do të vazhdojë ajo loja që ka filluar që në shtatorin e vitit të kaluar dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë pajtim apo marrëveshje dhe nuk besoj, që propozimi i Prishtinës për njohjen reciproke të tabelave të makinave RKS dhe SRB do të pranohet nga pala serbe. Nuk do të pranohet edhe për faktin se në marrëveshje shkruan se ky propozim për zgjidhjen e problemit të tabelave është i Prishtinës. Nuk mund të kuptoj se si politikanët i komplikojnë gjërat pa nevojë. E kam të qartë që kryeministri Kurti dëshiron të tregojë se po shënohet përparim në skenën ndërkombëtare dhe mendoj se është shumë hap i mirë aplikimi për Këshillin e Evropës, mirëpo nuk po më pëlqen loja për targa, që është një temë e rëndësishme për çdo qytetar qoftë i Kosovës, qoftë i Serbisë. Pala serbe ndërkaq, assesi të dalë nga ai rrethi vicioz. Deklaratat si “nuk njohim asgjë”, “nuk do të pranojmë asgjë” janë plotësisht të pakuptimta. Për sa kohë, që do të bëhet fjalë për njohje reciproke, mendoj se nuk do të ketë shanse për sukses. Në fund jam i bindur se do të bien stikersat dhe do të pranohen tabela RKS dhe SRB nga të dyja palët.

Radio Kosova: Si e shihni rolin e ndërmjetësit Lajçak?

Dushan Janjiq: Roli më problematik këtu është ai i Lajçkut. Ai është fajtor që ka kthyer çështjen dy tre vite prapa, pasi tabelat RKS dhe SRB janë tabela të njohura ndërkombëtarisht. Ai dhe ekipi tij nuk kanë pasur ndonjë ide, as nuk kanë dashur të rrezikojnë diçka. Mendoj se “stikersat” do të mbesin të tillë edhe dy tre jave dhe pastaj do të hiqen. SHBA-ja i ka bërë disa herë vërejtje BE-së se kështu nuk udhëhiqet dialogu dhe bashkë me Berlinin kanë bërë thirrje të ndryshohet diçka. Nëse asgjë atëherë, të ndërrojnë ndërmjetësin. Mendoj se Brukseli duhet të ndërpresë këtë metodë të dialogut dhe të mos ngarkojë opinionin me çështje teknike dhe në dialog të hapen temat e vërteta politike.

Radio Kosova: Zoti Janjiq, po thoni se fajtor është zoti Lajçak?

Dushan Janjiq: Mendoj se ai është një nga përgjegjësit sepse po luan një lojë burokratike, të njëjtën që ka lozur edhe Mogerini. Ne kemi tani rrethana të reja, kemi agresionin e Rusisë në Ukrainë, që po ndryshon shumë gjëra në relacionet ndërkombëtare, që gati ka vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e Bashkimit Evropian. Kemi Rusinë, që po bën përpjekje për të sjellë dështimin dhe rënien e Bashkimit Evropian dhe ka filluar ngadalë të riorientohet drejt Azisë. Në këtë situatë të tillë, nuk duhet të lejohet që çështjet praktike, që mund të zgjidhen fare lehtë teknikisht, si janë tabelat e makinave, të politizohen. Në shtator kishim vendosjen e barrikadave nga serbët në veri të Kosovës, ngritjen e gatishmërisë të njësive speciale dhe gatishmërinë e ushtrisë serbe në janar dhe shkurt. Kjo është e paimagjinueshme. Natyrisht, fajtorë janë politikanët që nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje, në fakt, nuk po duan të gjejnë zgjidhje?!. Për mua zgjidhja është e thjeshtë: të hiqen letrat ngjitëse, kemi tabelat që i njeh e gjithë bota dhe që ta dini në Serbi askush nuk ka bërë ndonjë dallim midis tabelave KS apo RKS siç janë tani. Njerëzit që udhëtojnë në të dyja anët e kufirit, nuk bëjnë dallime të tilla. Pra, porosia është: mos bëni punë që nuk vlejnë dhe mos i politizoni gjërat. Serbia ka paralajmëruar se nuk do të pranojë propozimin e krynegociatorit nga Kosova, Besnik Bislimi, dhe do të mbajë sot takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe të vazhdojë të mbajë fjalime të mëdha patriotike. Do të shfrytëzohet për këtë edhe aplikim i Kosovës për Këshillin e Evropës etj. Kjo që po bën Serbia, nuk është e mirë. Dua të potencoj edhe një herë një gjë shumë të rëndësishme: Këto stikera duhet të hiqen sa më parë, para se të fillojë sezoni i verës dhe njerëzit të nisen për pushime.

Radio Kosova: Si e shihni rolin e kancelarit Scholz?

Dushan Janjiq: Tani është rasti që të shihet ndikimi i tij nëse do të ketë sukses, apo do të ndodhë e njëjta gjë si me kancelaren Merkel. Pra, nëse do të ndryshojë diçka apo do të vazhdojë me të vjetrën. Takim i sotëm është rezultat i takimeve me kancelarin e Gjermanisë që kishte Kurti dhe Vuçiq. Lajçak, Kurti dhe Vuçiq nuk kanë bërë asgjë që procesin e dialogut ta ngritin mbi nivelin teknik dhe të gjejnë zgjidhje e të marrin vendime. Scholz tani ndodhet para dy sfidave: që ta kuptojë se ata nuk e respektojnë dhe se ndërtimi i autoritetit të tij nuk bëhet pa Londrën dhe Uashingtonin. Vetëm nuk mundet asgjë, sepse shumica e vendeve të BE-së po tregojnë se as që brengosen për Ballkanin, Kosovën dhe Serbinë. Scholz, tani ose do të reagojë politikisht, duke mos mbajtur më as një takim pa konsultuar partnerët si janë Londra dhe Uashingtoni, ose autoriteti i tij do të bie. Dua të them edhe këtë: Edhe takimi në Berlin ishte improvizim, që nuk iu ka dashur, sepse Serbia tani ka një problem më të madh, është në situatë kur duhet të heqë dorë nga ndikimi i Rusisë dhe kjo qeveri nuk është ajo që do të mundë të pranojë ndonjë kompromis teknik.

Radio Kosova: Kosova dje ka aplikuar për Këshillin e Evropës. Cilat janë gjasat për pranimin e saj?

Janjiq: Ky është një vendim shumë racional, sepse Këshilli i Evropës është institucion evropian ku mund të diskutohen çështje të bashkëpunimit rajonal. Beogradi nuk ka shumë hapësirë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë institucion, tashmë kur ka ndryshuar edhe raporti i forcave në Këshillin e Evropës. Aty nuk është më Rusia e cila më herët ka pasur ndikim tejet të madh, sepse ka siguruar 30 për qind të buxhetit të Këshillit të Evropës. Shumë pak vende do të jenë kundër pranimit të Kosovës. Tani radhën e kanë 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që të përcaktohen për Kosovën, dhe kjo sfidë është më e vështirë për këto 5 vende se sa për Vuçiqin. Ato tashmë duhet të rishikojnë vendimin dhe argumentet e tyre. Për Serbinë, do të ishe mirë që çështja e të drejtave të njeriut, të trajtohet brenda Këshillit të Evropës, i cili është përgjegjës për këtë, sepse Këshilli i Evropës është institucioni që merret me të drejtat e minoriteteve, të drejtat fetare etj. Pra, nuk shoh arsye që këto probleme të mos zgjidhen në të ardhmen në kuadër të Këshillit të Evropës.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close