Ministrja Gërvalla: Nuk ka çnjohje, nga aplikimi në KE, s`humb askush

Një ditë pasi Kosova zyrtarisht dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës në Strasburg, procedurë e kryer nga ministrja e Punëve të Jashtme e Diasporës, Donika Gërvalla, kjo e fundit mbajti konferencë për media në Prishtinë.

E bindur se nga anëtarësimi i Kosovës në KE nuk do të ishte përfituese vetëm Kosova por edhe rajoni, Gërvalla tha se mbi të gjitha, kjo nuk do të ishte humbje për askënd.

“Tani është koha për të marrë vendimet e duhura. Prandaj, edhe kemi vendosur që ketë vendim të rëndësishëm ta marrim tani”, tha Gërvalla.

Ajo tha se beson  që ky është hapi i duhur dhe i ndërmarrë në kohën e duhur.

“Nga anëtarësimi fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush, fitojnë qytetaret e Kosovës, fiton rajoni, fiton Këshilli i Evropës”.

Ministrja Gërvalla tha se është e kuptueshme se ky është veç hapi i parë i një rruge të gjatë me plot sfida, por mbi të gjitha, mohoi deklaratat e zyrtarëve të Serbisë se katër shtete kanë tërhequr njohjet e tyre ndaj Kosovës.

Sipas saj, këtë çfarë thotë Beogradi zyrtar, duhet parë në dy mënyra..

“E para, ose është lajm i pavërtetë, dhe e dyta ose kanë shumë kohë që punojnë për çnjohje”, tha Gërvalla.

Ministrja tha se ka pasur  informacione që Serbia në asnjë moment nuk ka pushuar së punuari për çnjohje të ndryshme madje në Afrikë ka pasur oferta të kombinuara të armëve ruse me vaksina ruse dhe për çudi sheqer.

“Kjo ka qenë oferta që u është bërë disa prej shteteve që s’e kanë tërhequr njohjen. S’jap emra sepse s’dua të ekspozoj. Është konfidenciale. S’ka çnjohje”, tha  Gërvalla.

Ministrja Gërvalla deklaroi e Beogradit nuk i intereson jeta e serbëve të Kosovës, por dëshiron ta ruajë ndikimin brenda Kosovës.

Ndërkohë, ministrja u shpreh se Kosova po punon për njohje të reja, ndërsa është shprehur e bindur se shtetet që e kanë njohur pavarësinë do ta përkrahin edhe pranimin në KE.

Madje deklaroi se  ka raste kur edhe shtetet që s’e kanë njohur Kosovën, do ta mbështesin për pranim në Këshill të Evropës.

Kosova dorëzoi të enjten aplikimin për anëtarësim në KE, por procedurat zgjasin me muaj të tërë, aq sa momenti i votimit për pranim ose jo do të mbahet në fillim të vitit që vjen.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close