Marrëveshja me MCC do ta ulë varësinë e importit të energjisë

Qeveria e Kosovës dhe Korporata Amerikane ’Sfidat e Mijëvjeçarit’ kanë finalizuar në Uashington marrëveshjen ‘Kompakt’ me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

Sipas Qeverisë fondet e MCC-së do të luajnë rol kyç për mundësimin e tranzicionit energjetik të Kosovës, me anë të ndërtimit të kapaciteteve akumuluese të energjisë, zhvillimit të shkathtësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin e energjisë. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ku ka thënë se me këtë projekt parashihet të prodhohen rreth 340 megavat orë të kësaj sasie të energjisë.

E njohësi i zhvillimeve në sektorin e energjisë, profesor Sejdi Rexhepi në një intervistë për RTK-në ka thënë se nënshkrimi  kësaj marrëveshje, e cila pritet të ratifikohet në Kuvend dhe të aprovohet nga Bordi i MCC-së është e një rëndësie të veçantë për Kosovën dhe të ardhmen e saj në fushën energjetike.

“Kjo për faktin se mundësohet krijimi i kapaciteteve akumuluese,të cilat do të mundësojnë që lëvizjet ditore të kërkesës dhe ofertës të jenë të balancuara, në mënyrë që ato të deponohen gjatë periudhës kur do të ketë konsum më të vogël të energjisë dhe më pas të përdoren atëherë kur kërkesa do të jetë më e madhe”, ka thënë Rexhepi në RTK.

Sipas tij përmbyllja e suksesshme e kësaj  marrëveshje do të ulë varësinë energjetike të Kosovës nga importi dhe kjo sipas tij është e një e rëndësie të jashtëzakonshme, sidomos tani në rrjedhat aktuale globale ekonomike.

“Kriza energjetike e filluar vitin e kaluar dhe që vazhdon edhe tash, rritja e çmimeve të derivateve të naftës dhe në veçanti invazioni i Rusisë në Ukrainë,  janë fakte të cilat dëshmojnë se shtetet domosdo në sektorët strategjikë, siç është sektori i ushqimeve dhe tash në botën bashkëkohore, sektori i energjetikës, do të duhet të kenë një minimum të pavarësisë energjetike. Dhe kjo me kapacitetet ekzistuese do të krijojë mundësinë që Kosova në mënyrë të suksesshme të bëjë një tranzicion nga sektori i prodhimit të tanishëm në prodhime të energjisë alternative siç është prodhimi nga era apo energjia solare”, ka shtuar Rexhepi.

Kjo, sipas tij, do të krijojë edhe stabilitet ekonomik në Kosovë dhe besueshmëri sa i përket investitorëve të huaj në të ardhmen.

Ai po ashtu ka vlerësuar se prodhimi i 340 megavat orë, sa parashihet me projektin e marrëveshjes së arritur do të jetë i mjaftueshëm për stabilitet energjetik në Kosovë.

“Ky është një kapacitet jashtëzakonisht i lartë, i afërt me kapacitetin e instaluar të Bllokut B1. Kjo nuk mund të arrihet brenda një viti, por kur të përmbushet realizimi i projektit është një kapacitet i lartë dhe është më shumë se sa prodhon një njësi e termocentralit Kosova B”, është shprehur Rexhepi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close