Koreja e Veriut pretendon se mbi 1 milion persona janë shëruar nga COVID-19

Koreja e Veriut tha më 18 maj se mbi 1 milion persona veçse janë shëruar nga sëmundja COVID-19, vetëm një javë pasi njoftoi për shpërthimin e koronavirusit, teksa duket se ky shtet po tenton që ta menaxhojë situatën në izolim, pasi ekspertët botërorë shprehën shqetësim për kërcënimin ndaj shëndetit publik.

Të mërkurën, selia kundër virusit njoftoi për 232,880 raste të reja me temperaturë dhe gjashtë vdekje, tha media shtetërore. Këto shifra sjellin në 62 numrin e përgjithshëm të vdekjeve dhe mbi 1.7 milion raste me temperaturë që prej fundit të prillit. Koreja e Veriut ka njoftuar se 691,170 persona janë ende në karantinë.

Ekspertët e jashtëm besojnë se shumica e rasteve që Koreja e Veriut po thotë se janë me temperaturë, janë me COVID-19, pasi ky shtet nuk ka pajisje të duhura për të konfirmuar kaq shumë raste me koronavirus.

Është e paqartë se si më shumë se 1 milion persona janë shëruar kaq shpejt në shtetin që ka mungesë të ilaçeve e pajisjeve mjekësore dhe popullsia prej 26 milionë banorësh është e pavaksinuar. Disa ekspertë prentedojnë se Koreja e Veriut mund të jetë duke i nxjerrë nga izolimi qytetarët të cilët nuk kanë më temperaturë të lartë.

Në botë, sëmundja COVID-19, ka vrarë afër 6.3 milionë persona edhe pse numri real besohet të jetë më i lartë.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha të martën se Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur kërkesës së organizatës për të ofruar më shumë të dhëna lidhur me shpërthimin.

Koreja e Veriut para se të raportonte për herë të parë rastet me COVID-19 javën e kaluar, kishte pretenduar se ka arritur të mbajë jashtë shtetin virusin. Ky shtet po ashtu kishte refuzuar miliona vaksina të ofruara nga programi COVAX.

Koreja e Veriut dhe Eritrea janë dy shtete të Kombeve të Bashkuara që nuk kanë administruar asnjë vaksinë kundër koronavirusit dhe sipas Tedros, asnjëra nga këto shtete nuk ka pranuar ndihmën e OBSH-së për vaksina, ilaçe, teste dhe mbështetje tjetër teknike.

“OBSH-ja është thellësisht e shqetësuar për rrezikun e përhapjes së mëtejme të virusit në Korenë e Veriut”, tha Tedros, duke theksuar se ka të ngjarë që banorët në këtë shtet, që kanë sëmundje kronike, të sëmuren rëndë nga koronavirusi.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close