Kthim në identitet për banesat “monument kulture”
ATSH/ Në qytetin e Beratit ka përfunduar restaurimi i banesave “monument kulture” të familjeve Nova dhe Bilali në lagjen “Kala”.
Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Berat, Eugen Kallfani theksoi se “pas hartimit, miratimit të projektit me mbështetjen e IKTK-Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës, përfundoi dhe faza e fundit e projektit të restaurimit të çatisë së familjes Nova, të qoshkut të banesës Bilali dhe të krejt fasadës së përbashkët të këtij monumenti interesant në lagjen Kala”.
Kallfani falënderoi pronarët e dy banesave për bashkëpunimin me shpresën se me bashkëfinancime midis shtetit dhe privatit të tjera punë të mira mund të realizohen.

Kompaktësia e ndërtimeve, lidhja e përkryer e tyre me truallin ku vendosen dhe pamja pak a shumë e njëjtë arkitekturore, i bëjnë këto banesa një prej pikave më tërheqëse në tërësinë e vlerave të qendrës historike të Beratit.
Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4-t. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatrea, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të kohës.
Comments are closed.