ARTISTËT NË PUSHTET

Historia e dy-tre shekujve të fundit tregon se roli i artistëve dhe krijuesve në ndryshime të sistemeve shoqërore, në revolucione e në përmbytje të diktaturave, ka qenë kyç dhe vendimtar. Natyrshëm nënkuptohet që përfshirja e tyre në procese reformuese dhe në drejtimin e pushteteve ka qenë i paevitueshëm. Kur artistët janë gjendur në stafin udhëheqës të pushteteve, e mira e përgjithshme e shoqërisë, pra, kultura, ka qenë në kulmin e lulëzimit të vet. Kështu duhet të jetë edhe sot!
Por, që kur u çelikos teoria se “politika është art i të pamundshmes” dhe meqë artistët janë përgjithësisht shpirtbutë e melankolikë, kurse politikanët të ftohtë e të vendosur për gjithçka, gjithnjë e më pakë shohim artistë të profileve të ndryshëm në krye të pushteteve. Artistët nuk përjashtohen nga proceset shoqërore, ata afrohen nga politikanët, por vetëm në rolin e patericës. Artistët përfshihen në pushtet vetëm përmes eshalonëve të dytë, tretë, katërt…
Artistët e mirëfilltë nuk mund të jenë matrapazë e dallkaukë. Dallaverxhiut nuk i shkon për shtati emërtimi i shenjtë “artist”! Pra, artisti (i popullit) nuk mund të jetë shitës i interesave, tradhtar, hajn e keqpërdorues i detyrës zyrtare. Nëse inspektoratet e ndryshëm shtetërorë hasin dukuri të tilla, te një artist kjo mund të ndodhë vetëm për shkak të natyrës së butë të artistit, i cili ose do të jetë manipuluar, ose mashtruar, ose edhe pse nuk i ka njohur punët si duhet! Detektimi eventual i këtyre lëshimeve nuk do të duhej të përdoret për linçim të artistit para popullit.
Artistët qëndrojnë njëri pran tjetrit sepse janë pllaka gjigante të mermertë që përbëjnë piramidën e identitetit kulturor të një etnie! Kjo sinergji nuk mund të ndjehet në mes të artistit dhe politikanit, aq më pak në piramidën e pushtetit! Politikani nuk e mbron artistin, por e përdor për shkak të popullaritetit të tij! Kur artisti gjendet në thumb të kritikave, apo, në makinerinë devalvuese të vlerave të tij të pacenueshme, politikani i pushtetit i jep flakë edhe më shumë: “secili përgjigjet për veprat e veta”!
Artistët janë të popullit dhe artistët mund të vihen në përgjegjësi vetëm para popullit! Kjo përgjegjësi është ekskluzivisht morale, pa kurrfarë pasoje juridike. Prandaj, artistët e popullit, në periudhën e etjes së madhe të politikanëve për famë, nuk duhet të kenë pushtet tjetër përveçse “pushtetit artistik”! Në të tilla situata edhe artistët duhet të jenë koshient dhe të mos lakmojnë pushtet politik, as menaxherial, por vetëm të jenë drejtues të këshillave artistikë.
Një krijues i mirëfilltë, një aktor i madh, një tenor e një balerin i paarritshëm, nuk duhet të pretendojë poste drejtorësh e menaxherësh të institucioneve nacionale. Por, nga ana tjetër, as këto institucione nacionale nuk mund të zhvillojnë politika kulturore pa fjalën përfundimtare të artistëve. Dhe kjo fjalë duhet të trajtohet si pushteti më i fuqishëm i artistit dhe jo posti politik ku personaliteti i çdo artisti në çdo ditë të lume është i ekspozuar në njollosje e etiketime.
Është përgjegjësi absolute e pushtetit të politikanëve që lejojnë, madje edhe që kontribuojnë në njollosjen e artistit popullor!
Pushteti i artistëve është mbi çdo pushtet të politikanëve, andaj e kanë gabim politikanët që zemërohen me artistë, duke i nxjerrë ata para “xhelatëve” që me kënaqësinë më të madhe ua këpusin kokat “artistëve të huaj” (për nga përkatësia etnike)! Duke i ndjerë si dështim politik, gjegjësisht si persona që nuk i kanë kryer detyrat e partisë, ata nxirren para “faktit” që i provon si keqpërdorues të financave të institucionit nacional!
Kësisoj topitet fuqia reale e pushtetit të artistëve, të cilët, të etiketuar me shumë hile nga pushteti politik, neutralizohen dhe bëhen fare të pafuqishëm në përpjekjet eventuale për t’ia dalë me ndonjë revolucion estetik ta kërcënojnë realisht pushtetin politik! Kjo do të mund të vlerësohej si politikë më antikombëtare e çdo subjekti politik që nuk e ka për qejfi identitetin kulturor të etnisë së vet, sepse as nuk e njeh atë identitet, as nuk e kupton dhe as nuk mund t’ia zbërthejë adn-në! /HEJZA/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close