Turizmi rijetëzon sitet arkeologjike në Luginën e Drinos

ATSH-Blerim Kore/- Me vlerat historike, arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore që mbart Lugina e Drinos, në rrethin e Gjirokastrës, në këto ditë vere po shndërrohet në promovuese të turizmit të qëndrueshëm në Jug të vendit.

Përgjatë kësaj lugine, gjenden gjurmë të 15 qendrave urbane, të lashtësisë, të cilat me kalimin e kohës po tërheqin jo vetëm studiuesit dhe arkeologët por edhe turistët.

Site të tilla si: Antigoneja, Adrianopoli, Melani, Palokastra, etj tashmë janë bërë pjesë e guidave të udhëtimeve të vizitorëve vendas dhe të huaj, duke shërbyer si nxitje për zhvillimin social dhe ekonomik të zonave ku ndodhen.

 Antigoneja antike interes për vizitorët

Qyteti antik i Antigonesë, në këto ditë vere po tërheq një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj. Ata e përfshijnë qytetin e lashtë, në guidat e gupeve të organizuara por edhe atyre individuale, në Jug të vendit. Falë pasurisë historike dhe arkeologjike që mbart Antigoneja antike vazhdon të tërheqë gjithmonë e më shumë kërshërinë e vizitorëve.

Sipas drejtorit të Parkut Arkeologjik, Shkëlqim Guçe,gjatë muajit maj është regjistruar një interes në rritje nga turistët për të vizituar vlerat arkeologjike të Antigonesë antike. Ndërkohë krahas vlerave historike, arkeologjike dhe kulturore në mjediset e Parkut Arkeologjike të Antigonesë vizitorët e ndryshëm vendas dhe të huaj, gjejnë një sërë veprimtarish të tjera argëtuese dhe çlodhëse si: guida turistike në natyrë, udhëtime me kuaj, etj.

Qyteti arkeologjik i Antigonesë ngrihet mbi kodrën e Jermës, në krahun e djathtë të rrjedhës së mesme të lumit Drino, në jugperëndim të fshatit Saraqinishtë, në Bashkinë Gjirokastër. Ai zinte një vend dominues dhe njëkohësisht më të përshtatshmin nga pikëpamja ekonomike në këtë luginë. Gërmimet arkeologjike tregojne se Antigoneja u formua si një qendër e madhe dhe e rëndësishme ekonomike, shoqërore, kulturore dhe politike që në fillim të shek. III p.e.s. Në një kohë që përputhet me periudhën e fuqizimit më të madh politik të shteteve të Epirit. Ajo vazhdoi jetën e saj gjatë gjithë shek. III dhe pati një veprimtari prodhuese intensive sidomos nga fundi i këtij shekulli dhe fillimi i shek II p.e.s.

Të dhënat e përfituara nga gërmimet treguan se një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike të qytetit kanë luajtur zejtaria dhe tregtia. Në shtresën kulturale që mbulon banesat e zbuluara dallohen qartë gjurmët e një shkatërrimi të shkaktuar nga një zjarr i fuqishëm.

Ky shkatërrim duhet të ketë ndodhur në vitin 167 p.e.s, kur konsulli romak Pal Emili dogji dhe rrafshoi për tokë 70 qytete të Epirit. Mbas kësaj ngjarje tragjike duket se Antigoneja nuk e mori më veten.

Turistë në Adrianopolin e lashtë …

Qyteti antik i Adrianopolit ndodhet në fushë të hapur 14 km në jug të Gjirokastrës, rreth 300 m larg rrugës automobilistike Gjirokastër- Sarandë, në Bashkinë e Dropullit. Në këto ditë vere ai është kthyer në një qendër të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Falë edhe gërmimeve arkeologjike të viteve të fundit, në këtë sit janë shtuar pikat e vizitueshme për turistët, duke rritur interesimin e tyre për guidat në këtë zonë.

“Kam ardhur të vizitoj gjatë fundjavës Gjirokastrën me një grup miqsh. Mes të tjerash vizituam sitin arkeologjik të Antigonesë ndërkohë që na tërhoqi edhe Adrianopoli antik me historinë dhe vlerat arkeologjike”, shprehet A.Kola, nga Tirana.

Mes të tjerash ky sit arkeologjik vazhdimisht po tërheq vëmendjen e studiuesve vendas dhe të huaj, në lidhje me promovimin, studimin, dhe restaurimin e vlerave arkeologjike. Megjithëse gërmimet arkeologjike të kryera në të kanë nxjerrë në dritë vlera të reja, sërish ky sit simbolizohet me teatrin e gurtë. Teatri antik i Adrianopolit datohet rreth dhjetëvjeçarëve të mesit të shek. II p.e.s. Ai ka një kapacitet prej 4 mijë spektatorë dhe është i pajisur me 27 shkallë, 4 hyrje dhe një skenë me dy kate. Teatri për nga mënyrë e punimit të mureve ofron më tepër me teatrin e Butrintit.

Gjatë gërmimeve arkeologjike në zonën e teatrit janë zbuluan dhe disa objekte metalike të shek II dhe IV e.s dhe qeramika të shek. IV-VI të e.s. Ndërkohë Lugina e Drinos përfshin edhe site të tjera si Melani, Palokastra, etj, që mbartin vlera të rëndësishme jo vetëm historike por edhe turistike. Së fundi Prefektura e Gjirokastrës ka inicuar organizimin e eventeve në kuadër të projektit “I-Theas”, pjesë e programit IPA-INTERREG, Shqipëri-Greqi.

“Fam&Press Trip”, përfshin ture të organizuara  në fokus të së cilave është promovimi i siteve arkeologjike në Jug të vendit dhe kryesisht përgjatë Luginës së Drinos.

Pjesëmarrësit në to specialistë të trashëgimisë kulturore, guida turistike, gazetarë, etj njihen dhe promovojnë vlerat e trashëgimisë kulturore në shërbim të zhvillimit të turizmit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close