​Mesazhe të shumta ngushëllimi për vdekjen e ish-presidentit Nishani

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe liderë të subjekteve politikë nga të dyja vendet, kanë shprehur ngushëllim për vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, duke thënë se ai përfaqësoi kombin dhe Shqipërinë me dinjitet të veçantë.

Kryeministri Kurti: Nishani do të kujtohet për kontributin e tij në karrierën profesionale si ushtarak e pedagog, deputet e ministër.

“Jam thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Gjatë mandatit të tij si President i Republikës së Shqipërisë, me maturi e urtësi politike punoi për shtetin modern shqiptar”.

Tutje tha se Nishani me vetëdije të lartë kombëtare u angazhua në intensifikimin e marrëdhënieve vëllazërore mes Shqipërisë e Kosovës.

Kurti shtoti se është mirënjohës ndaj tij edhe për dhënien e shtetësisë shqiptare.

“Nishani dha mbështetje të pakursyer për Republikën e Kosovës dhe bashkatdhetarët tonë kudo. I jam mirënjohës për dhënien e shtetësisë shqiptare gjatë mandatit të tij”.

“Në këto ditë të vështira për familjen, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta zonjës Odeta për humbjen e bashkëshortit, Ersit dhe Fionës për babain, dhe mbarë kombit shqiptar për Presidentin e shtetit tonë amë”,  ka  shkruar  Kurti.

Krasniqi: Nishani veprimtarinë ia kushtoi marrëdhënieve ndërshqiptare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka shkruar se Nishani ishte një ndër burrështetasit e mëdhenj të Shqipërisë.

Krasniqi ka thënë  se me dhembje  e ka marrë lajmin e trishtë për vdekjen e ish-Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

Ai e ka vlerësuar Nishanin si punëtor të palodhshëm, njeri të edukuar, bashkëpunëtor besnik e patriot.

“Kështu do ta kujtojmë përherë figurën dhe personalitetin e shquar të Bujar Nishanit, që tërë veprimtarinë e tij politike ia kushtoi shtetit të Shqipërisë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshqiptare”, ka shkruar ai.

Krasniqi në emrin e tij dhe të Partisë Demokratike të Kosovës,  ka shprehur ngushëllimet më të ndjera për familjen Nishani, për miqtë e bashkëpunëtorët e tij.

“Nderimet më të larta për jetën dhe veprën e Presidentit Bujar Nishani”, ka shkruar ai.

Abdixhiku: Nishani njeri i veçantë, personalitet i rrallë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ngushëlloi familjen dhe popullin shqiptar me rastin e ndarjes nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.

“Më pikëlloi lajmi për ndarjen e hershme nga jeta të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani. Ikja e tij në amshim është lajm i hidhur për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë. Presidenti Nishani ka lënë pas vete një trashëgimi të madhe, siç ishte i madh edhe angazhimi i tij për çështjen kombëtare. Përkushtimi i tij për paqe, zhvillim e demokraci, e bën Presidentin Nishani njeri të veçantë, personalitet të rrallë, të balancuar me ide e qëndrime si dhe të paharrueshëm në historinë e popullit shqiptar. Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh ngushëllime familjes Nishani dhe mbarë popullit shqiptar. I përjetshëm kujtimi për Presidentin Nishani”, ka shkruar ai.

Haradinaj: Nishani do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka shprehur ngushëllime familjes së presidentit Bujar Nishani pas vdekjes së tij sot.

Haradinaj ka thënë se Nishani do të kujtohet si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.

Do të kujtohet përherë si udhëheqës me integritet dhe kontribues i madh për demokracinë në Shqipëri.  U prehtë në paqe”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka vdekur të shtunën, më 28 maj, nga komplikimet shëndetësore si pasojë e betejës disamuajshe me COVID-19. Ai ishte 55 vjeç.

Presidentja Osmani: Nishani atdhetar i pashoq, përkrahu Kosovën

Presidentja e Kosovës , Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Nishani si dhe miqtë e bashkëpunëtorët e tij.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se Presidenti Bujar Nishani ishte model i atdhetarit të pashoq, i cili përfaqësoi Shqipërinë me dinjitet të lartë dhe përkrahu Kosovën pareshtur, deri në frymën e fundit.

Tutje, Osmani ka shkruar se ai një jetë të tërë ia kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve, duke qenë shembull i politikanit racional e me integritet.

“Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime familjes Nishani si dhe miqve e bashkëpunëtorëve! Shpirti i Presidentit Nishani pushoftë në paqe!”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Vlerësohet lartë kontributi i Nishanit për Shqipërinë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta me rastin e ndarjes nga jeta të ish presidenit Bujar Nishani, ka ngushëlluar bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe.

“Me trishtim dhe hidhërim të thellë mora lajmin e largimit nga jeta të Presidentit Bujar Nishani. Ngushëllimet më të ndjera për bashkëshorten Odeta, fëmijët Ersi dhe Fiona, dhe të afërmit për këtë humbje të madhe. Presidenti Nishani do të kujtohet gjithnjë si një personalitet me vlera të rralla të një udhëheqësi me integritet dhe vizion. Kontributi i tij për Shqipërinë dhe demokracinë do të kujtohet përherë me respekt I paharruar kujtimi i President Nishanit. Të prehet në paqen e merituar!”, ka shkruar Meta në “Facebook”.

Paloka: Fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët

Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka përmes një mesazhi në rrjetet sociale përcolli mesazhin e ngushëllimit për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Bujar Nishani. “Një lajm i hidhur ka pak që u konfirmua. Bujar Nishani, ish-President i Republikës, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD-së në vite, ka ndërruar jetë!”, shkroi Paloka. “Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratet. Respekti ynë për gjithçka dha për PD-në dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë”, u shpreh Paloka.

Hoxhaj për vdekjen e Nishanit: Humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët

Ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj ka ngushëlluar Shqipërinë për vdekjen e ish-presidentir Bujar Nishani. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook ka thënë se lajmin për vdekjen e Bujar Nishanit e mori me dhimbje të madhe. Me dhimbje të madhe mora lajmin për vdekjen e ish-presidentit shqiptar Bujar Nishani. Humbje e madhe për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.”, ka shkruar Hoxhaj. Tutje, ai ka thënë se Nishani “ishte ndër politikanët më shembull, dinjitoz dhe mik i imi i ngushtë!”. “Një atdhetar i madh, që punoi shumë për interesat e kombit shqiptar. Ngushëllime të sinqerta familjes Nishani, miqve dhe të gjithë kombit shqiptar. U prehsh në paqe President!”, ka shkruar Hoxhaj derisa ka shpërndarë edhe një fotografi bashke me Bujar Nishanin.

Ahmeti: Me Nishanin në tavolinën e bisedimeve ishte çështja mbarëkombëtare

Lideri i BDI-së, Ali Alhmeti, ka përcjell ngushëllimet e të sinqerta familjes së nderuar Nishani, miqve dhe bashkëveprimtarëve të Presidentit Nishani!. “Me pikëllim të thellë pranova sot lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish presidentit të Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani. Të pashlyeshme në kujtimet tona do të mbesin vitet e angazhimit të tij në politikën kombëtare, ndërsa nga takimet që kishim bashkë do të kujtojë gjithmonë entuziazmin dhe përkujdesin që tregonte kur në tavolinën e bisedimeve ishte çështja mbarëkombëtare. Përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së nderuar Nishani, miqve dhe bashkëveprimtarëve të Presidentit Nishani!”, ka skruar Ahmeti në “Facebook”.

Hoti: Presidenti Nishani ishte intelektual, patriot dhe unifikues

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka theksuar se Presidenti Nishani ishte intelektual, patriot dhe unifikues që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e Republikës së Shqipërisë dhe në të gjitha trevat shqiptare. “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Presidenti Nishani ishte intelektual, patriot dhe unifikues që ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e Republikës së Shqipërisë dhe në të gjitha trevat shqiptare. Me të gjitha këto veti të një burrështetasi, Presidenti Nishani ka ndërruar jetë për të lënë prapa veprat e tij të përjetshme. Ngushëllime familjes dhe të gjithë shqiptarëve!. I përjetshëm qoftë kujtimi për ish-Presidentin, Bujar Nishani”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.

Jahjaga: Presidenti Nishani ka qenë figurë unifikuese

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka vlerësuar lartë ish-presidentin Nishani. “Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim, ish-Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Me Presidentin Nishani kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë gjatë mandateve tona presidenciale, si dhe një koordinim të shkëlqyeshëm ndërmjet të dy presidencave. I matur, pozitiv dhe shumë i përkushtuar në detyrë, Presidenti Nishani ka qenë një figurë unifikuese edhe atëherë kur polarizimet politike dukeshin të pakalueshme. Odetës, Fionës, Ersit si dhe mbarë familjes Nishani e shtetit shqiptar, i shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për këtë humbje të madhe! Bujari u prehtë në paqe!”, ka shkruar ajo në “Facebook”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close