NDEZJA E CIGARES -Një interpretim i fotos së rrallë

Qerim Vrioni
Ka ndodhur që edhe ndezja e cigares (apo llullës dhe pipës) një të panjohuri, të bëhet shkas për njohje, madje dhe për lidhje miqësore, pra fija e hollë e shkrepsës, përpos cigares ka ndezur dhe zjarrin e miqësisë midis dy njerëzve. Ky nuk është rasti i fotos tonë që po e titullojmë thjeshtë “Ndezja e cigares”. Veçse, çastet e ndezjes së cigares edhe këtu, si rëndom, kanë një farë qetësie dhe përzemërsie. Nga hulumtimet e deritanishme është gjetur se dy burrat e fotos janë barinj nga Progonati (Kurvelesh), të zbritur në fushën e Dropullit (Gjirokastër) rreth vitit 1948, me rastin e krijimit nga pushteti i kohës, të Kooperativës blegtorale “Asim Zeneli”. Arsyeja e kësaj nisme ishte për të ndihmuar popullatën e zonës malore të Kurveleshit për një jetë më të mirë. Burimet e saj njerëzore do të ishin blegtorë (bashkë me familjet e tyre) nga tri fshatra të krahinës, Progonati, Lekdushi dhe Golemi, të njohura për mbarështimin e bagëtive.
Në foto shihet bariu Musto Gugaj, me fytyrë të paqët dhe brucë të zezë, i cili pasi ka ndezur llullën e tij, i afron qetësisht shkrepsën e ndezur kolegut të tij, Abaz Haxhiajt. Ky duket shumë i përqendruar, mbulon flakën e saj me duar për të mos u fikur e duke thithur thellë cigaren (ndoshta e dredhur vet me letër gazete). Në ndryshim nga Musto Guga, Abaz Haxhiaj mban hedhur supeve një pallto të madhe qyteti.(e dhënë përkohësisht ndoshta nga fotografi). Në një nga ato çaste ata edhe janë fotografuar. Shkrepja fotografike pa dyshim është realizuar në vitin e largët 1956, gjatë kohës kur në fshatin e ri po xhirohej filmi dokumentar “Pranvera e nëntë“ nga Kinostudioja “Shqipëria e Re” kushtuar kooperativës “Asim Zeneli” dhe sukseseve të saj ekonomiko-shoqërore. Regjisor dhe skenarist i filmit ishte kineasti Endri Keko, teksti i shkruar nga poeti Llazar Siliqi, drejtor fotografie (operator) Jani Nano dhe piktor Petraq Lubonja.
Fotoja mund të jetë një shkrepje-çasti (snapshot), pra në padijeninë e personave, thënë ndryshe, vjedhurazi, por po ashtu, e realizuar edhe sipas porosisë së fotografit, për të përsëritur, veprimin e kryer nga ata, pak çaste më herët (siç ka ndodhur me disa foto-ikona në fotografinë botërore dhe shqiptare si “Iwo Jima” e Joe Rosenthal dhe “Dorëzimi armëve” e Kel Marubit). Gjithashtu, fotoja ndoshta është fryt i stampimit në letrën fotografike të një kuadri (sekuence) nga dokumentari (por e pa përfshirë montazhin përfundimtar të tij) në celuloid dhe e përzgjedhur me mjaft shije, me gjasë nga drejtori i fotografisë apo nga piktori i filmit. Këto e të tjera, të gjitha të marra me mend, kanë çuar në realizimin e kësaj fotoje në dukje rutinë.
Fatkeqësisht ende nuk dihet (të paktën prej meje) edhe emri i autorit të fotos. Siç u cek më lartë, ka të ngjarë të jetë ndonjë pjesëtar i grupit të xhirimit të filmit, që ka pasur me vete një aparat fotografik, por sidomos shtysën dhe sqimën e brendshme të artistit për të përjetësuar një pamje mjaft të veçantë. Megjithatë, kushdoqoftë e kudoqoftë, në tokë a në qiell, ai duhet përgëzuar ngrohtësisht për këtë imazh të rrallë. Gjithsesi, koha, vendi, shkaku i realizimit të fotos, emrat e personave, autori i saj, lloji i aparatit dhe filmit, janë vektorë, disa të saktë e të vërtetë, të tjerë të hamendësuar, kanë rëndësinë e tyre, por rezultantja, vet fotoja mbetet më e rëndësishmja dhe i zbeh disi ato.
Plani i parë i fotos janë katër duart e dy barinjve, ato përbëjnë dhe qendrën optike të fotos, aty zhvillohet edhe subjekti i saj, ndezja e cigares, pra, në një farë mënyre dhe qendrën kuptimore të saj. Veçse punctum (sipas Barthes) i fotos mendojmë se është koka e Abaz Haxhiajt. Aty ngelet për disa çaste vështrimi i shikuesit, shkëputet prej tij e kthehet sërish. Madje, fotoja do të ishte pa fushë manjetike nëse nuk do të përfshihej në të portreti i Abazit, për këtë mjafton ta mbulojmë me një letër të bardhë atë.
Marrja (fotografimi) nga poshtë vijës së horizontit i jep fotos edhe farë karakteri monumental, sepse kështu ajo shihet ashtu siç shikohen përgjithësisht shtatoret nga poshtë-lartë. Kështu fotoja merr edhe ngjyra gjithë-kohore, pra fotoja mund të vendoset në çdo kohë, pavarësisht veshjeve që përcaktojnë vendin. Gjithsesi, për kumtet shoqërorë dhe psikologjik, frymën që përcjell fotoja, si dhe portretet e dy barinjve (sidomos e Abaz Haxhiajt), ajo vragon mbresa të pashlyeshme tek shikuesit. Po ashtu, për karakterin, të themi monumental, fotoja ndoshta mund të frymëzojë dhe t’i shërbejë edhe ndonjë skulptori për krijimin e një skulpture parku me temë miqësinë e thjeshtë dhe të pastër.
Fatkeqësisht, foton e kemi vetëm në versionin digjital, pra jo në letër, sepse ashtu do të ndihmonte më shumë për të dalluar ndonjë detaj, që mund të hapte ndonjë shteg të ri për leximin e saj. Në fund, duhet të përmend se këtë foto ma ka dërguar për ta publikuar dhe shkruar diçka mbi të, miku im, poeti Petrit Ruka. Kjo ka ndodhur më se dy vite më herët. Disa muaj më pas ai u nda nga jeta. Le të jenë këto rreshta edhe si një homazh për poetin e ndjerë, i cili mbetet shkaku i publikimit të fotos dhe të disa rreshtave kushtuar asaj. (fjala)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close