Kryeministri Kurti: Kosova po përgatitet të aplikojë në programe të NATO-s e në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se janë duke u bërë përgatitjet për aplikim në programe të NATO-s dhe në Bashkimin Evropian.

Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e 57-të të Këshillit të Përgjithshëm ku po merr pjesë edhe kryetari i kësaj partie, njëherit kryeministri Albin Kurti.

Në fjalën e tij para Këshillit, Kurti ka folur për arritjet e qeverisë gjatë një viti. “Ka qenë një vit sfidues për shkak të pandemisë, krizës globale e energjetike, agresionit rus në Ukrainë, por megjithatë kemi arritur rezultate të mira duke tejkaluar edhe parashikimet tona. Kemi menaxhuar suksesshëm me pandeminë duke qenë në rajon vendi me numrin më të vogël të vdekjeve. Kemi shënuar rritje dyshifrore ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, kemi zbatuar politika sociale që përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka thënë Kurti.

Sipas tij si qeveri kanë avancuar aleancat dhe partneritetet dhe kanë treguar solidaritet ndërkombëtar me popujt në nevojë.“Kemi respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë dhe kemi pasur një koordinim të shkëlqyeshëm institucional mes Presidencës, Kuvendit dhe Qeverisë”,  ka thënë ai.

Tutje Kurti ka deklaruar se Kosova është bërë fanar i demokracisë dhe zhvillimit në rajon.

“Sa i përket sundimit të ligjit jemi renditur të parët në Ballkan, sa i përket korrupsionit kemi lëvizur 17 vende më lart dhe po ashtu 17 vende për lirinë e mediave. Këto matje tregojnë se qytetarët kanë besim në institucione”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës ku ka thënë se janë duke i bërë përgatitjet për aplikim.

“Si hap të natyrshëm e kemi parë edhe aplikimin në Këshillin e Evropës.Anëtarësimi në këtë institucion është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi e mirë për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Jemi duke bërë përgatitjet për anëtarësim në Programin për Partneritet dhe paqe në kuadër të NATO-s dhe do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Kryeministri ka folur edhe për vizitën zyrtare në SHBA. Ai ka thënë se gjatë kësaj vizite ka takuar 7 senatorë, 12 kongresistë, dhe 7 zyrtarë të lartë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close