Në margjinat e Forumit GLOBSEC në Bratislavë, i cili u mbajt në kryeqytetin sllovak midis 1 dhe 3 qershorit, “European Western Balkans” bëri një intervistë me Carl Bildt, ish-kryeministër suedez dhe përfaqësues i lartë në Bosnje dhe Hercegovinë.

EWB: Si i shihni efektet e pushtimit rus të Ukrainës, sa i përket  Ballkanit Perëndimor?

Carl Bildt: Aspekti më i dukshëm është sigurisht indirekt, në kuptimin që synimi i botës perëndimore është tani konfrontimi me Rusinë. Pra, ka një efekt shumë indirekt në Ballkanin Perëndimor, jo të drejtpërdrejtë.

EWB: Pra, a mendoni se kjo do të ndikojë ndoshta më shumë në angazhimin politik të vendeve evropiane në Ballkanin Perëndimor dhe ndoshta do të përshpejtojë procesin e zgjerimit, etj.?

Carl Bildt: Unë nuk mendoj se kjo do të ndodhë, apo se do të ketë  ndonjë efekt madhor, qoftë në një drejtim  apo në tjetrin. Mendoj se do të jetë një problem për Serbinë, në kuptimin që nëse presidenti Vuçiç shkon përpara… Dhe tani ai ka ftesën për ministrin e Jashtëm Lavrov që të vijë në një takim miqësor në Beograd, që, natyrisht, nuk do të jetë shumë konstruktiv nga pikëpamja e çuarjes përpara të agjendës së BE-së.

EWB: Në thelb, ajo ndikon në vendin tuaj, Finlandën, apo jo?

Carl Bildt: Po. Kjo na prek neve, mjaft në mënyrë thelbësore pasi kemi marrë vendimin për të aplikuar për anëtarësim në NATO.

EWB: Dialogu Beograd-Prishtinë,  është përshpejtim i procesit  apo diçka krejtësisht e re? Tani kemi shumë të dërguar të posaçëm si  Miroslav Lajçak, i dërguar britanik, i dërguar amerikan, tani ai gjerman. Atëherë do të kemi siç kuptoj nga korriku edhe  një të dërguar francez. Çfarë mendoni për këtë? Pse na duhen të dërguarit për Ballkanin Perëndimor?

Carl Bildt:  Mendoj se ne kemi nevojë kryesisht për një të dërguar të BE-së që vepron së bashku me amerikanët. Mendoj se ky duhet të jetë një proces i udhëhequr nga BE dhe i mbështetur nga Amerika. Gjithçka tjetër është plotësuese. Por më në fund do të vendoset nga gatishmëria për të ndërmarrë disa hapa të vështirë në Beograd dhe në Prishtinë. Dhe unë mendoj se liderët politikë në të dyja vendet e kuptojnë se në disa momente ato vendime do të duhet të merren, por ata duhet të kalojnë vetë ato ura.

(Përkthyer me shkurtime nga European Western Balkans)