Ministrja Haxhiu: Vetingu nis me krerët më të lartë të drejtësisë

Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar me procesin e vetingut dhe për të formalizuar punën për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Vendimi është marrë në seancën e djeshme dhe është kumtuar sot nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu që doli në një konferencë të përbashkët për medie me kryeministrin Kurti.

Haxhiu, që është kthyer sot në Kosovë pasi ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit të Venecias, tha se në draft-opinionin për vettingun, i cili së shpejti pritet të bëhet publik, konstatohet nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi si dhe rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me një integritet profesional dhe efikas.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes një mekanizmi të jashtëm, pra niveleve të larta duke filluar nga KGJK, KPK si dhe kryetarët e të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha Prokurorive Themelore. Për të vazhduar më pas në vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve në këshillat tashmë të verifikuar. Problemet e shumta në sistemin e drejtësisë, siç janë mungesa e besimit, korrupsioni gjyqësor, stërzgjatja e gjykimeve, mungesa e efikasitetit të mekanizmave disiplinorë, nepotizmit dhe së fundmi edhe me përzgjedhjen e procesit të kryeprokurorit të shtetit, njëjtë si në gjetjet tona, e edhe ato të raporteve ndërkombëtare janë konstatuar gjithashtu nga Komisioni i Venecias të cilat justifikojnë këtë ndërmarrje të rëndësishme reformuese”, deklaroi Haxhiu.

Komisioni, sipas Hahxiut, ka konstatuar se në kontekstin e Kosovës, një veting efektiv do të kërkonte domosdoshmërisht kombinim të masave të ndryshme që do të kenë efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë,

Komisioni i Venecias, pas kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë mendim edhe për Projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, duke theksuar se për konfiskimin përfundimtar të pasurisë do të duhet të vendosë gjykata.

“Sa i përket Projektligjit për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajufistikuar, Komisioni gjen se korrupsioni është një problem serioz e sistematik dhe sipas anëtarëve të cilët kanë punuar në këtë opinion, lufta kundër korrupsionit duhet të rritet dhe se konfiskimi civil mund të jetë i dobishëm për këtë. Pra, Komisioni i Venecias njeh mekanizmin për konfirmimin në bazë civile dhe jep sugjerime se si një mekanizëm i tillë do të duhej shfuqizuar e i cili do të ishte kompetent për verifikimin fillestar dhe më pas konfirmimin përfundimtar do ta bëjë gjykata”, tha ajo.

Për të miratuar vettingun me ndryshimet kushtetuese kërkohet edhe mbështetja e mbështetja e partive opozitare dhe të komunisteve për të kaluar në Kuvend. Ajo u shpreh se është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me të gjithë palët e përfshira.

“Do të jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë edhe me Këshillin Gjyqësor, edhe me Këshillin Prokurorial sikurse edhe me përfaqësues të tjerë, qoftë nga organizatat e shoqërisë civile, por edhe partnerë ndërkombëtare dhe partitë opozitare. Vetëm që këto reforma sa më shpejtë të jetësohen… Ne do të procedojmë sa më parë në Kuvend me ndryshimet kushtetuese dhe më pas me ndryshimet e tjera ligjore”, përfundoi Haxhiu.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close