Kryeministri Kurti: 93% e marrëveshjeve të mbledhjes së fundit mes dy qeverive, në zbatim

ATSH/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se 93 % e marrëveshjeve të arritura në mbledhjen e fundit mes dy qeverive janë në zbatim.

“Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar. Është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në të gjithë rajonin sigurohet duke zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund. Lënia në fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esenciale politike, mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, deklaroi Kurti gjatë mbledhjes së 8-të të përbashkët të dy qeverive.

Aty ku besimi social është më i madh, tha Kurti më tej, edhe kostoja e përgjithshme e transaksioneve ekonomike ndërmjet palëve është gjithnjë më e ulët.

Kryeministri Kurti theksoi se bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombeve ndërmjet dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se po zbatohen parimet dhe praktikat e Bashkimit Europian, përderisa edhe anëtarësimi në BE, mbetet synimi i përhershëm dhe drejtues i politikave të të dy vendeve.

Kurti u shpreh se mbledhja e 8-të po mbahet në harkun kohor të 6 muajve nga mbledhja e fundit, ku u nënshkruan 13 marrëveshje ndërqeveritare dhe 8 marrëveshje mes institucionesh.

“Brenda këtyre 6 muajve janë në zbatim të gjitha ato marrëveshje, përveç njërës, që është në proces. Zbatimi i tyre ka lehtësuar jetën e qytetarëve në fusha të ndryshme, ndër të cilat lehtësimi i marrjes së lejes së qëndrimit, njehsimi i diplomave, kalendari i përbashkët dhe bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, bujqësisë, etj.”, tha ai.

Kryeministri Kurti vuri në dukje se po punohet për vënien në zbatim edhe të marrëveshjeve të nënshkruara ndër vite.

“Nga 127 marrëveshje të nënshkruara vetëm 75, ose 59 % e tyre janë në zbatim, që është shumë më pak, krahasuar me realizimin në nivelin 93 % të marrëveshjeve të nënshkruara para 6 muajsh”, deklaroi Kurti.

Edhe marrëveshjet që do të nënshkruhen sot, shtoi ai, kanë për qëllim lehtësimin e jetës së qytetarëve, duke ndërtuar infrastrukturën e përbashkët.

Kurti vlerësoi se puna e grupeve të përbashkëta mes dy vendeve për rritjen e bashkëpunimit ka qenë efikase.

“Të tilla janë marrëveshja për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ato ndodhen, ose për ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për projektmarrëveshjen për bashkimin doganor, si dhe ajo e projektidesë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë, etj.”, tha Kurti.

Proceset integruese e përbashkuese që parashikohet nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, tha ai, janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore e veçanërisht në ato të BE-së.

SipasKurtit, mbetet vetëm përcaktimi i shpejtësisë së zbatimit të tyre.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close