Moska: Pasoja të rënda për Lituaninë nëse nuk heq ndalimin e transportit hekurudhor në Kaliningrad
ATSH-DPA/ – Moska ka kërcënuar Lituaninë me pasoja të rënda nëse vendi nuk heq ndalimin e transportit të mallrave të caktuara në enklavën e Kaliningradit, në detin Baltik, që i përket Rusisë.
”Moska do t’u përgjigjet këtyre veprimeve armiqësore me kundërmasa”, deklaroi shefi i Këshillit të Sigurimit rus, Nikolai Patrushev, gjatë një vizite në Kaliningrad, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
”Përgjigjja ruse do të ketë një ndikim serioz negativ mbi popullin lituanez”, theksoi ai.
Patrushev, i konsideruar si një nga të besuarit më të ngushtë të Presidentit Vladimir Putin, u takua me guvernatorin lokal Anton Alikhanov dhe kryesoi një takim.
Që nga e shtuna, Lituania ka ndaluar transportin e mallrave në listat e sanksioneve perëndimore përmes territorit të saj me hekurudhë.
Alikhanov tha se kjo prek rreth 40% deri në 50% të të gjitha mallrave të dërguara në Kaliningrad, të tilla si materialet e ndërtimit dhe metalet.
Kremlini i kritikoi kufizimet si “të paligjshme” dhe thirri përfaqësuesin diplomatik të Lituanisë dhe ambasadorin e BE-së në Moskë./
Comments are closed.